Nga Prishtina në Gjermani – Drejtori i Inspekcionit në kryeqytet deklaron pasuri milionëshe, afro 2.7 milionë euro në prona dhe investime
Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka deklaruar pasurinë e tij pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila përbëhet nga prona të paluajtshme, aksione në kompani private, kursime bankare dhe të ardhura nga disa burime brenda dhe jashtë vendit. Në total, pasuria e deklaruar e tij vlerësohet në rreth…
Lajme
Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka deklaruar pasurinë e tij pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila përbëhet nga prona të paluajtshme, aksione në kompani private, kursime bankare dhe të ardhura nga disa burime brenda dhe jashtë vendit.
Në total, pasuria e deklaruar e tij vlerësohet në rreth dy milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind euro (2,699,500 euro), ku pjesa dërrmuese e saj vjen nga portofoli i gjerë i patundshmërive, i ndjekur nga investimet në kompani dhe kursimet bankare.
Ai ka deklaruar prona të paluajtshme me vlera të ndryshme, përfshirë zyra, banesa, shtëpi, toka dhe arë. Ndër to veçohen një zyrë me vlerë 120 mijë euro, një banesë prej 150 mijë euro, një truall prej 120 mijë euro, një shtëpi prej 475 mijë euro, si dhe një tjetër shtëpi me vlerë 480 mijë euro, shkruan lajmi.net.
Po ashtu, në deklarim përfshihen edhe prona të tjera si banesa, toka dhe arë me vlera që variojnë nga 10 mijë deri në 300 mijë euro, përfshirë edhe prona të trashëguara si një tokë me vlerë 85 mijë euro dhe një pyll me vlerë 175 mijë euro.

Në pasurinë e luajtshme ai ka deklaruar një veturë Audi me vlerë tetë mijë euro.

Brestovci figuron gjithashtu aksionar në disa kompani në Kosovë dhe Gjermani, me pjesëmarrje në kapital që varion nga 1 mijë deri në 12 mijë e 500 euro, ndërsa në llogaritë bankare ka deklaruar kursime prej 1 mijë e 490 euro në Kosovë dhe 22 mijë euro në Gjermani.


Të ardhurat e tij vjetore përfshijnë rreth 10 mijë euro paga nga Gjermania, 3 mijë e 500 euro nga qiraja, si dhe pagë mujore prej rreth 932 euro neto në Kosovë.

Në deklarim nuk figurojnë kredi aktive, detyrime financiare, kriptovaluta apo letra me vlerë. /Lajmi.net/