Irani i pavendosur për pjesëmarrjen në bisedimet në Islamabad
Irani ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në bisedimet për paqe me Shtetet e Bashkuara në Islamabad, tha më 21 prill zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, pasi forcat amerikane morën një cisternë të madhe të naftës që po lundronte në det. Baqaei e quajti këtë veprim, si dhe sekuestrimin…
Bota
Irani ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në bisedimet për paqe me Shtetet e Bashkuara në Islamabad, tha më 21 prill zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, pasi forcat amerikane morën një cisternë të madhe të naftës që po lundronte në det.
Baqaei e quajti këtë veprim, si dhe sekuestrimin e mëhershëm të një anijeje mallrash, “pirateri në det dhe terrorizëm shtetëror”, duke thënë se kjo ngre dyshime për seriozitetin e Uashingtonit në lidhje me negociatat për t’i dhënë fund luftës që SHBA-ja, së bashku me Izraelin, nisën ndaj Iranit më 28 shkurt.
Më 7 prill, SHBA-ja dhe Irani, me ndërmjetësimin e Pakistanit, arritën një marrëveshje dyjavore armëpushimi, që skadon më 22 prill.
Nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili pritet të udhëheqë delegacionin amerikan në bisedimet në Islamabad, ende nuk është nisur drejt kryeqytetit pakistanez.
Në rundin e parë të bisedimeve, të zhvilluara më 11-12 prill, SHBA-ja dhe Irani nuk arritën një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës.
Irani ka bllokuar qasjen në Ngushticën e Hormuzit, e cila kontrollon hyrjen në Gjirin Persik, për të gjitha anijet, përveç atyre iraniane ose atyre që Teherani i miraton për kalim. Ndërkaq, SHBA-ja ka në fuqi një bllokadë ndaj porteve iraniane.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do të rinisë veprimet ushtarake dhe do të sulmojë infrastrukturën civile iraniane, sikurse urat dhe termocentralet, nëse Teherani nuk pranon kushtet e tij.
Ai po ashtu ka thënë se nuk dëshiron që ta zgjasë armëpushimin, teksa lidhur me bllokadën amerikane ndaj porteve iraniane ka thënë se ajo nuk do të hiqet pa u nënshkruar një marrëveshje për paqe.
Pakistani, që ndërmjetëson bisedimet mes palëve, u ka bërë thirrje Uashingtonit dhe Teheranit që të zgjasin armëpushimin. REL