Fotografia e Rugovës trazoi LDK-në, por beteja e vërtetë sapo ka nisur: Kush po e merr partinë?

Derisa disa nga figurat e LDK-së po bëhen gati për garën e brendshme për kryetar të partisë, anëtarët e drejtuesit gjetën kohë të hapnin një tjetër debat: atë për fotografinë e Ibrahim Rugovës në Presidencë. Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën reagoi ashpër ndaj presidentes Justina Shiroka-Pula, duke pretenduar se ajo kishte larguar fotografinë e…

Lajme

12/11/2026 17:06

Derisa disa nga figurat e LDK-së po bëhen gati për garën e brendshme për kryetar të partisë, anëtarët e drejtuesit gjetën kohë të hapnin një tjetër debat: atë për fotografinë e Ibrahim Rugovës në Presidencë.

Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën reagoi ashpër ndaj presidentes Justina Shiroka-Pula, duke pretenduar se ajo kishte larguar fotografinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratën e Pavarësisë nga vendet e tyre të nderit në Presidencë, shkruan lajmi.net.

Reagimi ishte i fortë. LDK-ja e cilësoi veprimin të papranueshëm dhe kërkoi rikthimin e tyre në pozitat e mëparshme, duke e konsideruar fotografinë e Rugovës dhe Deklaratën e Pavarësisë si simbole me rëndësi të veçantë historike e shtetërore.

Por, zhvillimi doli të ishte pak më ndryshe nga ajo që paraqiti partia.

Fotografia e Ibrahim Rugovës nuk ishte larguar nga Presidenca. Ajo ishte vetëm zhvendosur në një kënd tjetër të institucionit. Edhe Deklarata e Pavarësisë vazhdonte të ishte në ambientet e Presidencës.

Këtë e sqaroi edhe vetë institucioni, me një deklaratë të shkurtër: “Asgjë nuk është larguar nga zyra e Presidencës. Të gjitha janë aty”.

Pra, fotografia ishte ende aty, por jo në vendin ku LDK-ja ishte mësuar ta shihte.

Ky debat vjen në një kohë kur vetë LDK-ja po përballet me një garë të rëndësishme për të ardhmen e saj politike. Zgjedhjet e brendshme, që pritet të mbahen në vitin 2027, tashmë kanë filluar të marrin formë, por bashkimi rreth një emri duket ende larg.

Hykmete Bajrami ka konfirmuar se do të kandidojë për kryetare të partisë, Arben Gashi ka paralajmëruar po ashtu kandidaturën, ndërsa Përparim Rama ka shprehur gatishmërinë për ta marrë drejtimin e LDK-së, ndonëse ende nuk ka marrë vendim përfundimtar.

Në këtë garë janë përmendur edhe emra të tjerë, si Avdullah Hoti dhe Lutfi Haziri, ndërsa brenda partisë vazhdojnë diskutimet për drejtimin që duhet të marrë LDK-ja.

Në njërën anë, figurat e partisë po bëjnë llogaritë për kryetarin e ardhshëm, ndërsa në anën tjetër, LDK-ja duket shumë më e bashkuar kur bëhet fjalë për mbrojtjen e vendit të fotografisë së Rugovës.

Natyrisht, Ibrahim Rugova mbetet figura themeluese dhe historike e kësaj partie, ndërsa kontributi i tij në shtetformimin e Kosovës është i padiskutueshëm. Por respektimi i trashëgimisë së tij nuk duhet të jetë zëvendësim i debatit për problemet që LDK-ja ka sot.

Në fund të fundit, fotografia e Rugovës nuk ishte larguar nga Presidenca, por brenda LDK-së ende nuk është gjetur një pajtim se kush duhet ta zërë vendin e tij në krye të partisë.

Duket se për kornizën pati më shumë zhurmë sesa për garën që po vjen.

Derisa të mërkurën, këtë çështje e ka komentuar edhe ish-presidentja, Vjosa Osmani, e cila ka reaguar ashpër për ndërrimin e vendeve të fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë nga Presidenca.

Ajo deklaroi se ato fotografitë janë vendosur përballë tualeteve e që sipas saj këto veprime nuk janë aspak dinjitoze.

Osmani ka përmendur edhe kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke thënë se ai ishte një kandidat i jashtëzakonshëm, i cili, sipas saj, nuk do ta zhvendoste as Deklaratën e Pavarësisë dhe as portretin e presidentit Ibrahim Rugova.

“Unë e di që tashti tentohet të arsyetohet zhvendosja në pjesë e qoshe të tjera si diçka normale. Megjithatë, nga Zyra Ovale e Presidencës amerikane e deri te zyrat e tjera të rëndësishme në vendet e nderit dihet kush e ka vendin”, tha Osmani.

“Vendet e errëta e përballë tualeteve e ç’nderojnë Republikën tonë”, shtoi ajo.

Ajo po ashtu tha se madhështinë e Rugovës nuk mund ta zbehë askush.

Po ashtu lidhur me zhvillimet e fundit brenda LDK-së dhe situatën në prag të zgjedhjeve të brendshme, lajmi.net ka kontaktuar edhe deputetin e kësaj partie, Ermal Sadiku.

I pyetur për gjendjen aktuale në parti dhe zhvillimet që po shoqërojnë garën për kryetar, Sadiku është përgjigjur shkurt me fjalën: “Super mirë”.

Se brenda LDK-së ka përplasje u dëshmua hapur edhe. Deklaratat e Vjosa Osmanit në Kuvend për fondet e ndara gjatë vitit 2020 nxiti reagimin e Hykmete Bajramit, e cila e quajti ish-presidentes “turiste politike” dhe hodhi poshtë pretendimet e saj.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur ish-presidentes Vjosa Osmani, pas deklaratave të kësaj të fundit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Osmani foli për ndarjen e fondeve në vitin 2020, duke pretenduar se ato u ishin dhënë “bosave të biznesit”. Ajo theksoi se kishte qenë ndër zërat më kritikë ndaj kësaj mënyre të shpërndarjes së mjeteve financiare.

“Por çfarë të them unë kur kritikohemi për standarde të dyfishta e dëgjojmë nga vetë ju standarde të dyfishta? Mbrojtje të dështimeve, arsyetim të stagnimeve, e jo duke e parë veten në pasqyrë me qëllimin pozitiv për t’u përmirësuar.

Çka thanë për humbjen e fondeve? Thanë që në vitin 2020 fonde ju paskan dhënë bosave të biznesit. Po! Dhe a e dini kush ka qenë personi që e ka kritikuar këtë më së shumti në atë kohë në këtë parlament? E kam kritikuar unë!”, u shpreh Osmani.

Ndërkaq, Bajramit nuk iu dha fjala në seancë, por ajo zgjodhi t’i përgjigjej Osmanit përmes një postimi në Facebook, ku e quajti atë “turiste politike” dhe i kërkoi të mos gënjejë.

“Përgjigje turistëve politikë që kanë mbetur pa pushtet, pa dinjitet, e shpërndajnë mjegull: Mos gënjeni! Në debatin e sotëm u dëgjuan shumë të pavërteta, prandaj disa gjëra duhet t’i sqarojmë. Në vitin 2020, kur ekonomia ishte komplet e mbyllur për shkak të pandemisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka financuar pagat e punëtorëve të sektorit privat për një muaj, nuk ju ka dhanë para ’’bosave të biznesit’’, shkroi ajo.

Në reagimin e saj, Bajrami dha edhe detaje për mënyrën se si ishte realizuar pakoja financiare gjatë pandemisë, duke këmbëngulur se procesi kishte qenë transparent dhe se mbështetja u ishte dedikuar punëtorëve të sektorit privat.

“Për realizimin e asaj pakoje kanë punuar rreth 10 shërbyes civilë, përfshirë drejtorin e Thesarit dhe drejtorin e Buxhetit.“Kam votuar për të mbrojtur në radhë të parë interesin e Republikës së Kosovës, në radhë të dytë, për ta mbrojtur fjalën që e kemi dhënë ne si LDK para elektoratit tonë.“

Kriteri ka qenë i qartë: punëtorët duhej të figuronin në listën e pagave të ATK-së për tre muajt paraprakë.Ka qenë një nga pakot më transparente të mbështetjes financiare që janë realizuar ndonjëherë në historinë e shtetit të Kosovës.Disa edhe mund të ma shihni për të madhe që po merrem me njerëz që sot mohojnë edhe biografitë e tyre, të cilëve u vjen turp të pranojnë se pjesë e cilave institucione dhe shumica kanë qenë dikur”.

Përplasja mes dy deputeteve vjen në një periudhë kur Vjosa Osmani është rikthyer në LDK, pas refuzimit të kryeministrit Albin Kurti për ta propozuar edhe për një mandat të dytë në postin e presidentes së Kosovës.

Hykmete Bajrami ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj Osmanit, duke vazhduar kundërshtimet ndaj saj edhe pas rikthimit të ish-presidentes në LDK./Lajmi.net/