Gjykata demaskon Qeverinë: Ia kufizoi financat krerëve të UÇK-së, Haxhi Shala fiton rastin ndaj Albulena Haxhiut
Haxhi Shala e ka fituar betejën me Ministrinë e Drejtësisë, për një vendim të marrë kundër tij nga koha kur ministre ishte Albulena Haxhiu. Kur ish-deputeti dhe një nga komandantët e UÇK-së, Haxhi Shala, u akuzua nga Dhomat e Specializuara të Kosovës nën akuzat për administrim të drejtësisë, më 6 dhjetor 2023, disa javë më…
Lajme
Haxhi Shala e ka fituar betejën me Ministrinë e Drejtësisë, për një vendim të marrë kundër tij nga koha kur ministre ishte Albulena Haxhiu.
Kur ish-deputeti dhe një nga komandantët e UÇK-së, Haxhi Shala, u akuzua nga Dhomat e Specializuara të Kosovës nën akuzat për administrim të drejtësisë, më 6 dhjetor 2023, disa javë më pas, ministria vendosi që ta mbështesë mbrojtjen financiarisht me vetëm 1000 euro në muaj.
Këtë e bëri duke u thirrur në udhëzimin e ri administrativ të vitit 2024, që e ndryshonte një udhëzim të vitit 2022, dhe kufizonte mbështetjen për rastet që kishin të bënin me akuza kundër administrimit të drejtësisë.
Madje, me këtë ndryshim, ishte kufizuar edhe mbështetja për krerët e UÇK-së dhe rastet e tjera që kishin të bënin me akuzat për krime lufte, duke e hequr mundësinë që në raste të jashtëzakonshme të lejoheshin fonde shtesë, transmeton voxkosova. Për këtë gjë kishin reaguar avokatët mbrojtës, por Haxhiu nuk i kishte marrë parasysh.
Por, pse Gjykata i dha të drejtë Haxhi Shalës dhe cili ishte roli i Albulena Haxhiut?
Gjykata Administrative ka theksuar se marrëveshja e ofruar nga Ministria e Drejtësisë në shkurt 2024, për 1000 euro në muaj mbështetje, ishte në kundërshtim me praktika të tjera, për akuza të ngjashme – siç ishte rasti i Nasim Haradinajt, të cilit i ishin dhënë 81 mijë euro për muaj për avokatët, por edhe me Udhëzimin e vitit 2022.
Gjykata, sipas vendimit që ka siguruar VOX Kosova, konstaton se edhe në rastin e Shalës, në fuqi ishte dhe vlente Udhëzimi i vitit 2022 dhe jo ai i vitit 2024.
Kur ministria kishte vendosur që mbështetja të ishte vetëm 1000 euro në muaj, Shala u ankua më 21 shkurt 2024 në ministri përmes avokatit të tij.
Edhe kjo ankesë i ishte refuzuar.
“E paditura qëllimshëm nuk e ka trajtuar kërkesën konform Udhëzimit Administrativ nr.08/2022, sepse paditësi kërkesën për kompensim e ka ushtruar pranë të paditurës para se të hyjë në fuqi UA nr.01/2024, derisa ishte në fuqi UA nr.08/2022. Përveç se e paditura ka aplikuar gabueshëm UA-në, e njëjta ka përcaktuar në mënyrë të pabazë nivelin e çështjes sepse rastin e paditësit do të duhej ta kualifikonte si komplekse sipas UA nr.08/2022”, thuhet në vendimin e Gjykatës Administrative të marrë më 8 nëntor 2026.
Ankesën e Shalës kundër vendimit të Komisionit Vlerësues të Ministrisë, që kishte detyrë ta përcaktonte shumën e mbështetjes financiare, e kishte refuzuar përmes një vendimi vetë Albulena Haxhiu, asokohe ministre.
“Gjykata ka vërtetuar faktin se Ministria e Drejtësisë përmes Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, përmes Vendimit nr.43/2024, i datës 29.02.2024, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit të paditësit Haxhi Shala, për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Në arsyetim të këtij Vendimi, theksohet se Komisioni për Shqyrtim dhe Vendosje, ka shqyrtuar kërkesën dhe dokumentacionin e avokatit mbrojtës të paditësit për mbulimin e shpenzimeve dhe duke pasur parasysh këtë faktor të përgjithshëm si numrin dhe natyrën e akuzave në aktakuzë, ka vendosur që pagesa lidhur me kompensimin e mbrojtjes juridike të bëhet në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr.01/2024, në shumë prej 1.000 euro”, sqaron gjykata në vendimin e saj.
Gjykata e ka treguar se pse në rastin e Shalës vlente udhëzimi i vitit 2022 e jo i riu i vitit 2024, që ishte në fuqi që nga 7 shkurti 2024.
Përveç se kërkesa për kompensim ishte bërë para hyrjes në fuqi, sipas Gjykatës, me udhëzimin e vitit 2022, procedurat, kushtet dhe kriteret vlejnë nga momenti kur ishte ngritur aktakuza.
E aktakuza ishte ngritur më 6 dhjetor 2023 dhe bërë publike më 12 dhjetor 2023.
Gjykata shkruan: “Përmes këtij Udhëzimi janë përcaktuar të drejtat dhe përgjegjësitë e subjekteve me qëllim të trajtimit të kërkesave për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike pranë Dhomave të Specializuara. Neni 4 par.1 i këtij Udhëzimi përcakton se personat e akuzuar potencial trajtohen në mënyrë të barabartë dhe ndalohet çdo lloj diskriminimi ndaj tyre. Neni 5 përcakton se ‘Qeveria përmes Ministrisë së Drejtësisë, siguron mbulimin e shpenzimeve për mbrojtjen juridike të personit të akuzuar potencial, në përputhje me kushtet dhe kriteret e parapara me Ligjin nr. 05/L-053, Ligjin nr. 05/L-054 dhe Rregulloret e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe fillon nga momenti i ngritjes së aktakuzës’”.
Më pas gjykata sqaron se Udhëzimi i ri kishte hyrë në fuqi tek më 7 shkurt 2024, pra dy muaj pasi ishte ngritur aktakuza.
“Gjykata sqaron se në rastin konkret është e paqartë përse Komisioni i të paditurës nuk ka zbatuar Udhëzimin nr.08/2022, duke qenë se zbatueshmëria e këtij Udhëzimi për mbulimin e shpenzimeve fillon në momentin e ngritjes së aktakuzës siç përcakton neni 5. Gjykata vlerëson se sipas kësaj dispozite, rezulton se momenti i ngritjes së aktakuzës përcakton pikënisjen e mbulimit të shpenzimeve, ndërsa aktakuza ndaj paditësit ishte ngritur para hyrjes në fuqi të UA nr.01/2024, të cilin Udhëzim e kishte zbatuar e paditura, kurse neni 2 i UA-së përcakton se paraqitja e kërkesës së palës përbën vetëm kusht procedural për fillimin e procedurës së kompensimit të shpenzimeve, që nënkupton se e paditura nuk vepron sipas detyrës zyrtare por vetëm me kërkesë të palës, mirëpo kërkesa e paraqitur duhet të vlerësohet në raport me nenin 5 të Udhëzimit nr.08/2022, i cili përcakton momentin e mbulimit të shpenzimeve nga ngritja e aktakuzës”, thuhet në vendimin e gjykatës, duke e konsideruar vendimin e ministrisë si me të meta juridike.
Gjykata ka obliguar ministrinë që të rivendosë për kërkesën e paditësit, në këtë rast Shalës, dhe atë ta shqyrtojë konform Udhëzimit 2022.
“Në këtë drejtim, gjykata e obligon të paditurën që në afat prej tridhjetë (30) ditësh, në ri-procedurë të veprojë sipas vërejtjeve të dhëna në këtë aktgjykim dhe pasi t’i mënjanojë të metat e cekura, të marrë vendim të drejtë të bazuar në ligj. Vërejtjet e cekura janë të obligueshme për organin e paditur, duke u bazuar në nenin 65 të Ligjit për Konfliktet Administrative”, thuhet në vendim.
Gjykata Speciale me seli në Hagë ka dënuar me tre vjet burgim Haxhi Shalën në shkurt 2025. Më 10 shkurt 2026, ai u lirua me kusht nga burgu.