Tensionet në protestën e mbrëmshme në Prishtinë, IPK hap hetim për veprimet policore dhe përdorimin e forcës

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka monitoruar reagimin e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbrëmshme në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Sipas IPK-së, gjatë protestës janë përcjellë nga afër angazhimet dhe veprimet e zyrtarëve policorë, ndërveprimi i tyre me protestuesit, përdorimi i forcës, si dhe përdorimi i pajisjeve dhe…

Lajme

06/10/2026 11:52

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka monitoruar reagimin e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbrëmshme në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Sipas IPK-së, gjatë protestës janë përcjellë nga afër angazhimet dhe veprimet e zyrtarëve policorë, ndërveprimi i tyre me protestuesit, përdorimi i forcës, si dhe përdorimi i pajisjeve dhe mjeteve të tjera të autorizuara.

Ndërkohë, hetuesit e IPK-së tahnë për Lajmi.net kanë pranuar një ankesë, të përcjellë përmes Policisë së Kosovës, në të cilën një qytetar pretendon për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.

“Bazuar në të dhënat e siguruara gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante, si dhe në kuadër të autorizimeve ligjore, IPK ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

IPK ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren.

“IPK mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të pavarur, me qëllim të garantimit të respektimit të ligjshmërisë, të drejtave të qytetarëve dhe standardeve profesionale në zbatimin e ligjit”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/