Zyrtare: Moyes trajner i Sociedadit

Ish-trajneri i Evertonit dhe Manchester United, David Moyes tashmë është emëruar dhe në mënyrë zyrtare trajner i ri i skuadrës spanjolle, Real Sociedad.

Sport

11/11/2014 00:30

Real Sociedadi ka konfirmuar se David Moyes është trajner i ri i tyre. Ai do të qëndrojë te kjo skuadër për një vit e gjysmë, periudhë kohore kjo e nënshkruar në kontratë.

Konfirmimi i këtij lajmi është bërë nga skuadra spanjolle nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, gjatë orëve të vona të ditës së hënë.

Përndryshe, Moyes është bërë mjaft i famshëm kohëve të fundit, për shkak të dështimit të tij te Manchester United.

Ai ka qenë viktimë e shumë shakave nëpër rrjetet sociale, konsiderohej si zëvendësues i denjë i legjendarit Ferguson. Mirëpo, puna e tij te United ishte thjeshtë katastrofale.