Zbardhet e vërteta dëshpëruese e largimit të Wengerit nga Arsenali

Arsene Wenger është shkarkuar nga Arsenali, thotë Jack Wilshere, vendimi i cili tronditi të gjithë brenda klubit, sipas mesfushorit anglez.

Sport

12/08/2018 12:52

Trajneri francez e konfirmoi largimin e tij nga Arsenali pas 22 viteve në detyrë të klubit londinez.

Atë kohë Wengeri tha: “Pas disa konsiderimeve dhe diskutimeve të kujdesshme me klubin, ndjehem se është koha e duhur që të largohem në fund të stinorit”.

Ndërsa Wilshere thotë se tre herë fituesi i Premierligës është detyruar që ta marrë atë vendim, në vend se të arrihet marrëveshja nga të dyja palët.

“Isha në vitin e fundit të kontratës, dhe fola me Arsene Wengerin, dhe ai tha se klubi nuk do të më ofrojë marrëveshje të re”, tha Wilshere.

“Unë vendosa të qëndroj dhe u riktheva në skuadër dhe pastaj ata më ofruan marrëveshje të re në janar të cilën isha gati ta nënshkruaj, por pastaj Wengeri u shkarkua”.

“Ishte e çuditshme, të gjithë ishin në shok dhe Per Mertesacker, kapiteni, i tha disa fjalë, dhe mendoj se të gjithë ishin të tronditur”.

“Askush nuk e mendonte se do të ndodhte ajo, mirëpo ndryshoi shumë gjëra, dhe unë dëshiroja që ta prisja trajnerin e ri për të biseduar. Dhe bisedova, ai ishte i shkëlqyer, ishte i sinqertë me mua”.

“Më tha që unë mund të qëndroj, por nuk do të jem pjesë e formacionit të tij, kështu vendosa pastaj që të largohem”.

Wilshere ishte pjesë e familjes Arsenal për 17 vite.

Ai vendosi që të transferohet te klubi tjetër nga Londra, West Hami, ku nënshkroi një kontratë trevjeçare.