Vuk Jeremiç bën thirrje kundër tenisit kosovar

Diskutimi për pranim i Federatës së tenisit të Kosovës në atë të Evropës në kuvendin vjetor, i cili këtë vit mbahet në Sofje të Bullgarisë prej 27 deri më 30 mars, ka futur në funksion Beogradin me të gjitha mjetet e veta. Së fundi, ish-ministri i punëve të jashtme dhe presidenti aktual i Federatës së…

Sport

25/03/2014 10:30

Diskutimi për pranim i Federatës së tenisit të Kosovës në atë të Evropës në kuvendin vjetor, i cili këtë vit mbahet në Sofje të Bullgarisë prej 27 deri më 30 mars, ka futur në funksion Beogradin me të gjitha mjetet e veta.

Së fundi, ish-ministri i punëve të jashtme dhe presidenti aktual i Federatës së tenisit të Serbisë, Vuk Jeremiç i ka dërguar letër të gjitha Federatave kombëtare të tenisit në Evropë.

Letra e shkruar nga ai paturpësisht ka përmbajtje raciste, ku ndër të tjera ai thërret për mos pranimin e Kosovës në Federatën evropiane të tenisit, ndonëse ajo kërkon ligjërisht vetëm pranimin me të drejta të kufizuara, transmeton Sporti1.com.

Sipas Jeremiç, Kosova nuk i plotëson kushtet e pranimit, pasi që sikur në futboll (UEFA) edhe në tenis, serbët ia kanë dalë ta fusin nenin se anëtari i ri duhet të jetë anëtar i Organizatës së Kombeve të bashkuara (OKB), megjithatë ndryshe nga futbolli, në tenis ka mundësi për disa lloje të anëtarësimit.

“Kjo është thyerje e statutit të Federatës evropiane të tenisit, Federata e Serbisë e tenisit (FST) fuqishëm kundërshton dhënien e çfarëdo anëtarësimi të së ashtuquajturës ‘Federatë të tenisit të Kosovës’ në atë të Evropës”, thuhet ndër të tjera në letër.

Madje, Jeremiç shkon deri aty duke thënë pse nuk ka kërkuar FTK-ja të zgjedh çështjet me Serbinë, duke harruar se prej 15 vjetësh nuk ka marrëdhënie Kosovë-Serbi.

Në mbledhjen e fundit të kongresit të Federatës evropiane të tenisit (FET), të mbajtur vitin e kaluar në Tallinn të Estonisë, Kosova ishte në rend dite, duke fituar 26 vota për, 25 kundër pranimit dhe 8 abstenuan, por për pranimin e plotë duheshin 2/3-at.

Megjithatë, drejtuesit e FET nuk ia kishin dhënë mundësinë e marrjes së fjalës delegacionit të Kosovës, duke bërë shkelje të principeve elementare njerëzore. Këtë herë, drejtuesve të FTK-së i është premtuar marrja e fjalës në Kuvend.