Villa: Adios Espana

David Villa ka njoftuar se do të pensionohet nga futbolli ndërkombëtar pas Kampionatit botëror në Brazil. Sulmuesi po ashtu tregon arsyen e transferimit në New York City.

Sport

04/06/2014 17:53

Sulmuesi David Villa ka bërë të ditur se do të pensionohet nga futbolli ndërkombëtar pas përfundimit të Kampionatit botëror në Brazil.

Anëtari i ri i New York City, është inkuadruar në listën përfundimtare të selektorit Vicente del Bosque. Dhe, ish ylli i Atletico Madridit ka njoftuar se do të tërhiqet nga Kombëtarja pas përfundimit të Botërorit në Brazil.

“Nuk më pëlqen ta mendoj por është e qartë se ky Botëror do të sjellë ndeshjet e mija të fundit për Kombëtaren. Tani dua të kënaqem duke filluar nga dita e parë, të zhvilloj një Botëror të madh dhe pse jo, të shtoj edhe një yll”, deklaroi Villa për të përditshmen sportive spanjolle As.

Pavarësisht largimit nga Atletico dhe futbolli evropian, Villa ka theksuar se ka ende pasion për futbollin.

“Është një prej arsyeve kryesore pse kam vendosur të transferohem në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ende kam ndjenja të mëdha për futbollin. Dua që të flitet për Villan edhe në atë pjesë të botës”, u shpreh ai.