Trajneri i Skënderbeut reagon pas shortit në Europa League me Partizanin e Beogradit

Ilir Daja, e ka cilësuar si shumë të vështirë shortin e sotëm, ku përballë ekipit të tij janë skuadra të forta.

Sport

25/08/2017 14:45

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, e ka cilësuar si shumë të vështirë shortin e sotëm, ku përballë ekipit të tij janë skuadra të forta. Ai priste skuadra me emër në arenën ndërkombëtare, por gjithsesi është gati të sfidojë cilëndo prej atyre që i rezervoi shorti.

“Shortin e pritëm me qetësi, sepse e dinim se do të kishim rivalë të vështirë. Do të doja të kishim ndonjë ekip më me emër në grup, por gjithsesi ky është fati ynë dhe ne do të bëjmë më të mirën! Nuk jemi ende në nivelin për të qenë pretendentë që të kalojmë grupin por nuk kemi asgjë për të humbur”, tha ai për “Panorama Sport”.

Përballja që ka marrë vëmendjen e të gjithëve është ajo ndaj Partizanit të Beogradit. “Partizani është i vështirë dhe do shpresoj të luhet vetëm futboll. Shpresoj shumë që të krijohet vetëm një atmosferë futbolli. Kemi kujtime të këqija nga koha e kombëtares në Beograd dhe kjo e bën delikate sfidën”, deklaroi Daja.