Tjetër dhunë në futbollin shqiptar

Si duket rregullat dhe disiplina në futbollin shqiptar, janë vetëm një utopi, që duket se nuk do të realizohet kurrë. Dhuna e përdorur në Peqin, në përballjen ndërmjet Shkumbinit dhe Sopotit, ishte një fotografi mjaft e keqe për zhvillimin e futbollit tonë.

Sport

07/12/2014 12:14

Pas dhunës të përdorur në derbin ndërmjet Partizanit dhe Tiranës, e radhës ishte dhe ajo ndërmjet Shkumbinit dhe Spotit. Sidoqoftë, ndeshja shkoi deri në fund dhe përfundoi me fitoren e miqve me rezultat të ngushtë prej 2-1.

Trajneri i skuadrës nga Librazhdi, Gentian Stojku dhe ndihmësi i tij Elton Ceno janë sulmuar fizik nga disa persona në ambientet e jashtme të spitalit të Peqinit, ku ishte transportuar me urgjencë pas një gjendjeje të fikti, drejtori tenkik i Sopotit Nesti Binishti.

Për pasojë, Stojku ka marrë plagë në kokë të shkaktuara nga mjete të forta, duke e kaluar natën në spitalin e Elbasanit. Dyshohet agresorët janë futbollistë dhe tifozë të skuadrës vendase, që inatin e humbjes dhe të përplasjeve verbale gjatë sfidës, e kanë shfryrë pak kohë pasi fusha e blertë e kishte dhënë verdiktin e saj, transmeton albeu.

Në ambientet e spitalit të Elbasanit, ku Stojkut i janë konstatuar dëmtime serioze në kokë, kanë mbërritur menjëherë forcat e rendit për të zbardhur ngjarjen, por trajneri i Sopotit nuk ka pranuar të bëjë denoncim.