Thiago Silva e do Championsin

Thiago Silva beson se PSG mund ta fitojë Ligën e Kampionëve, pas suksesit të regjistruar në dy sezonet e fundit në Ligue 1. Mbrojtësi brazilian është i bindur se gjiganti francez ka kapacitet të arrijë suksese edhe në Evropë.

Sport

08/05/2014 15:07

Thiago Silva mendon se ka ardhur koha që Paris Saint Germaini ta fitojë Ligën e Kampionëve, pasi e ndihmoi ekipin e tij ta fitojë titullin e dytë rresht në Ligue 1.

Barazimi i Monacos në shtëpi të Guingamp ia mundësoi ekipit të Laurent Blanc që të bëhet kampion i Francës, para fillimit të ndeshjes së tyre me Stade Rennais në Parc des Princes.

PSG kaloi në epërsi pas vetëm tre minutash përmes Ezequiel Lavezzi, por më pas i pësoi dy gola dhe humbi në shtëpi, 1:2.

“Ne nuk ndihemi keq, por ishte një ndeshje e vështirë. Kemi luajtur mjaft mirë për 10 muaj. Nuk ishte e mirë në fund, por sot jam mjaft i lumtur për titullin”, deklaroi përfaqësuesi brazilian.

“Ne duhet të vazhdojmë kështu edhe sezonin tjetër. Me mbështetjen e tifozëve tanë, do të mundohemi gjithashtu ta fitojmë edhe Ligën e Kampionëve. I gjithë grupi është i lumtur dhe shpresoj të vazhdojmë kështu”, vazhdoi ish futbollisti i Milanit.

Silva e pranon se do të ishte mjaft i lumtur, nëse trajneri Blanc vazhdon të qëndrojë në krye të gjigantit francez, edhe pse së fundmi spekulohej se ai mund të largohet nga PSG gjatë kësaj vere.