Televizionet kosovare nuk respektojnë plotësisht Ditën e Zisë (Foto)

Në Kosovë zyrtarisht sot është ditë zije. Në përkujtim të tri viktimave kosovare që u vranë nga një i çmendur në Munih të premten në mbrëmje, Presidenti i republikës, Hashim Thaçi, ka vendosur që flamujt e vendit të ulën në gjysmë shtizë. Këtë vendim e ka bazuar në Ligjin Nr.03/L-132, nenin 48 e pika 3.

Lajme

24/07/2016 14:36

Në këtë pikë shkruan se “Zija shtetërorë shpallet me vendim të Presidentit dhe i komunikohet Misionit Diplomatik nëpërmjet Protokollit të Shtetit”.

Një nen më poshtë, ai 4, saktëson se “kohëzgjatja e zisë përcaktohet nga Presidenti”, raporton lajmi.net.

Në këtë rast, Presidenti i Republikës ka vendosur që dita e zisë te jetë 24 korriku, pra një ditë.

Të gjitha institucionet e shtetit i kanë ulur flamujt në gjysmë shtizë duke e zbatuar këtë vendim presidencial.

Por më shumë se flamujt, dita e zisë së një vendi vërehet në media. Por çfarë kanë transmetuar shumica e medieve vizive dhe radiofonike kryesore sot në vend?!

Megjithëkëtë, më të dukshmet janë televizionet. Një shikim nëpër kanalet e tyre, në shumicën prej tyre, sot  mund të gjesh gjithçka,  përveç ndjenjës së është Ditë Zije shtetërore, raporton lajmi.net.

RTK1

Në këtë ditë të zisë shtetërore, televizioni publik është munduar të jetë më korrekt. Gjatë ditës përveç reklamave dhe edicioneve të lajmeve, ka transmetuar muzikë klasike por edhe emisione si ai për bujqësi. RTK1 ka frekuencë nacionale.

RTK 1

RTK2

Kanali i dytë i Televizionit të Kosovës që  transmeton program në gjuhën serbe, ka emetuar program gjithashtu për bujqësi,  për motorë, por jo edhe muzikë klasike apo emisione që mund t’i përshtatën më shumë kësaj dite të rëndë. RTK2 është televizion kabllor.

RTK2

RTV21

Nëse respektimi i ditës së zisë së shpallur nga Presidenti nënkupton mos transmetimin e emisionit të llojit ‘1 kafe me labin’ atëherë këtë e ka arritur RTV21. Përndryshe, filma dhe dokumentare që vështirë i gjen në këtë televizion, janë shfaqur gjatë ditës së sotme. RTV21 është televizion privat me frekuencë nacionale.

 

KTV

Përvec reklamave dhe emisioneve të zakonshme, KTV nuk e ka lëvizur për asgjë skemën e vet programore. Televizioni privat me frekuencë nacionale, është mjaftuar me nxirjen pak të logos së vet. Përndryshe është flladitur si çdo ditë tjetër.

 

KTV

KLLAN KOSOVA

Televizioni privat që nuk ka frekuenca nacionale por është mjaft popullor në rrjetin kabllor, për asnjë çast nuk e ka ndryshuar skemën programore në këtë ditë zije. Jo vetëm emisione argëtuese, por ky televizion ka reprizuar edhe seriale komike në ditën e zisë si ‘Kombinati’.

Klan Kosova

Rrokum TV

Televizioni që vetën e konsideron alternativ, më shumë për  dialektin që e përdorë sesa që ka program ndryshe nga të tjerët, ka vazhduar me ditën e vet të zakonshme edhe në këtë ditë të jashtëzakonshme. Nga kuzhina e deri te intervistat me personazhe që vetën e konsiderojnë VIP, janë emetuar në këtë ditë të rëndë për vendin në këtë medium kabllor.

Rriookum TV

RTV Dukagjini

Televizioni tjetër privat, ka vazhduar me punën e vet të zakonshme. Lajme nga sporti e lajme nga shoëbizi kanë qenë prezente edhe në ekranin e këtij mediumi që transmeton program në sistemin kabllor.

RTV Dukagjini

First Channel

Por ka edhe raste të tjera. Televizioni kabllor First Channel ka transmetuare dhe muzikë. Madje me klarinetë.

 

First Channel

Tribuna Channel

Televizioni më i ri në vend, gjatë ditës së zisë nacionale, ka transmetuar emisionet e zakonshme. Ndër të tjera edhe seriale turke ku për dashuri, ndiqet edhe autobusi.

Tribuna Channel

ON TV

Televizioni kabllor me përmbajtje muzikore, nuk e ka ndërprerë asnjëherë programin dhe nga ajo që transmeton gjithmonë. Vetëm muzikë.

ON TV

Besa

Për çudi, edhe pse ditë zije, televizioni tjetër kabllor Besa me seli në Prizren, i njohur për përmbajtje më konservatore të programeve, në këtë ditë të rëndë për vendin, ka transmetuare dhe kamera të fshehura, në përpjekje që audienca të qeshë.

Besa TV

Këto janë vetëm disa nga mediat vizive që lajmi.net ka mundur t’i montorojë sot gjatë ditës së zisë së shpallur nga Presidenti. Përndryshe ka pasur edhe disa televizione të tjera kabllore që në nderim të kësja dite, i kanë ndërprerë tërësisht programet e tyre./lajmi.net