Shkëndija e Tetovës bën një gjest të madh

Kampionë edhe jashtë fushe. Shkëndija e Tetovës po surprizon këtë verë ku ka thyer çdo rekord të klubit duke avancuar deri në play-off-in e Europa League, ku do të përballet me belgët e Gent, me kuqezinjtë që dinë të tregohen të mëdhenj dhe në aspektin human.

Sport

12/08/2016 19:55

Klubi i futbollit Shkëndija përmes Kryqit të Kuq u ka dorëzuar familjeve të goditura nga përmbytjet e pak ditëve më parë në rajonin e Shkupit pako me artikuj ushqimor që siç njofton vetë klubi tetovar arrijnë vlerën e 10 mijë Eurove. Fondi financiar është grumbulluar nga shitja e biletave të ndeshjes Shkëndija-Sileks, ndërkohë që kanë kontribuar dhe vetë kryesia e klubit, futbollistët, stafi teknik dhe administrata e tij.

Kapiteni i skuadrës Ferhan Hasani, me Ardian Cuculin, Besart Ibraimin dhe Besir Demirin, një futbollist që është nga rajoni i goditur nga përmbytjet, Haracina, në emër të klubit përmes Kryqit të Kuq kanë dorëzuar ndihmat në destinacionin e planifikuar, duke kontribuar për të ndihmuar sadopak familjet në nevojë. Një gjest ky vërtet human nga ana e Shkëndijës së Tetovës që me këtë solidarizim e ndihmë konkrete edhe një herë tjetër ka treguar se është një klub që meriton të jetë krenaria e shqiptarëve.