Sam Allardyce bie nga liga për herë të parë në karrierë si menaxher me West Bromwich Albion

Sam Allardyce dhe West Bromwich Albion nuk do të jenë më në Premierligë.

Sport

10/05/2021 08:17

Kjo pasi skuadra angleze ka humbur betejën e mbijetesës dhe nga sezoni i ardhshëm do të paraqitet në Championshipin anglez, shkruan lajmi.net.

West Bromi pësoi humbje nga Arsenali në kuadër të xhiros së 35-të të Premierligës, gjë që shkaktoi rënien e tyre nga elita e futbollit anglez.

Për skuadrën e West Bromit kjo nuk është hera e parë, por për menaxherin e saj, Sam Allardyce po!

Në fakt, Allardyce kishte krijuar reputacion në Premierligë si menaxher i “shpëtimit” të skuadrave nga rënia e ligës.

Kjo pasi ai asnjëherë në karrierën e tij nuk kishte rënë nga liga me skuadrat e tij.

Ironik është fakti se West Bromi shkarkoi trajnerin Slaven Bilic për ta zëvendësuar atë me Allardyce në mënyrë që të arrijë objektivin e qëndrimit në ligë.

Tani, West Bromi i bashkohet Sheffield United në betejën e humbur dhe bëhet skuadra e dytë që bie nga liga./Lajmi.net/