Superkupa e Prishtinës

Sigal Prishtina mposhti Bashkimin me rezultat 82:79, dhe fitoi trofeun e Superkupës së Kosovës në basketboll. Dardan Berisha shkëlqeu duke realizuar 32 pikë.

Sport

02/10/2014 20:52

Sigal Prishtina fitoi Superkupën e Kosovës në basketboll duke mposhtur Bashkimin në Prizren me rezultat 82:79.

Në një ballafaqim jashtëzakonisht interesant dhe tejet të barabartë, kryeqytetasit triumfuan falë paraqitjes më të mirë në çerekun e fundit të lojës. Dy periudhat e para të lojës i takuan prishtinasve, por Bashkimi luajti më mirë në të tretën të cilën e fitoi me rezultat 22:14.

Mirëpo, Prishtina u përmirësua në çerekun vendimtar (28:20) dhe e fitoi trofeun. Më meritori në triumfin e prishtinasve ishte Dardan Berisha që realizoi 32 pikë, kurse kontribut të madh dha edhe qendra McGhee me 20 pikë.

Te Bashkimi, basketbollistët më efikas ishin Tankelewicz me 15 pikë dhe Hysenagolli me 14.