Superkupa e Atleticos

Atletico Madrid mposhti Real Madridin me rezultat 1:0 në ndeshjen e kthimit në Vicente Calderon dhe triumfoi në Superkupën e Spanjës. Mario Mandzukic realizoi golin e triumfit për skuadrën e Diego Simeones.

Sport

23/08/2014 01:21

Atletico Madrid triumfoi në Superkupën e Spanjës. Skuadra nga Vicente Calderon mposhti si nikoqire rivalin e qytetit Real Madrid me rezultat 1:0, në ndeshjen e kthimit, dhe e rrëmbeu trofeun.

Pas barazimit 1:1 në ballafaqimin e parë në Santiago Bernabeu, Atletico kishte avantazhin e lehtë prej një goli si mysafir.

Por, menjëherë në minutën e dytë, Atletico kaloi në epërsi me golin e përforcimit të ri Mario Mandzukic. Los Blancos u munduan të kundërpërgjigjen në pjesën e parë nëpërmjet përforcimit të ri James Rodriguez, por pa sukses.

Në fillim të pjesës së dytë, Carlo Ancelotti inkuadroi në lojë Cristiano Ronaldon në vend të Toni Kroos por as ylli portugez nuk arriti të shpëtojë skuadrën e tij. Reali nuk e gjeti golin e barazimit dhe të vazhdimeve, kurse Atletico rezistoi dhe shënoi një tjetër sukses të madh pas atij të edicionit të shkuar në La Ligë.

Diego Simeone u përjashtua herët në fillim të ndeshjes, njësoj sikurse mesfushori i Realit, Luka Modric, në çastet e fundit të takimit.