Suarez e realizoi ëndrrën

Luis Suarez thotë se e realizoi ëndrrën, për të luajtur dhe jetuar në Spanjë. Sulmuesi uruguaian e pranon se është zemërthyer që u largua nga Liverpooli, të cilin nuk do ta harrojë. Por, tash po mendon për sfidën e re në Barcelonë.

Sport

11/07/2014 16:02

Luis Suarez thotë se po largohet nga Liverpooli me zemër të thyer, pasi e pranon se kishte rënë në dashuri me qytetin dhe me fansat e klubit.

Sulmuesi uruguaian iu bashkua zyrtarisht Barcelonës të premten, pasi e kompletoi transferimin në Camp Nou, duke nënshkruar kontratë pesëvjeçare.

27 vjeçari i ka falënderuar tifozët Reds për mbështetjen gjatë kohës sa qëndroi aty, duke shpresuar që ata ta kuptojnë se përse vendosi të largohet.

Ish futbollisti i Ajaxit thotë se gjithmonë kishte ëndërruar të luajë në Spanjë.

“Jam zemërthyer që u largova nga Liverpooli për një jetë të re dhe për një sfidë të re në Spanjë. Unë dhe familja kishim rënë në dashuri me këtë klub dhe qytet”, theksoi Suarez për uebfaqen zyrtare të Liverpoolit.

“Por, gjëja që më së shumti kisha rënë në dashuri ishin tifozët e jashtëzakonshëm. Ju më keni mbështetur gjithmonë mua dhe unë nuk do t’jua harroj këtë. Familja ime do të jemi gjithmonë tifozë të Liverpoolit”, vazhdoi ai.

“Shpresoj ta kuptoni se përse e kam marrë këtë vendim. Ky klub bëri gjithçka që unë të qëndroja, por duke luajtur dhe duke jetuar në Spanjë, ku jeton edhe familja ime, është një ëndërr jetësore dhe një ambicie”, vijoi Suarez, i cili ia uroi të gjitha të mirat ekipit të Brendan Rodgers.

Ai ndihet krenar që ka luajtur në Liverpool, duke e ndihmuar këtë ekip të ngritet në elitën e futbollit anglez.