Simonovic: Nuk vij në Kosovë

Basketbollisti serb Marko Simonovic ka lindur në Prishtinë, por thotë se kurrë nuk do ta njeh Kosovën si shtet dhe nuk dëshiron që në të ardhmen të vjen për të luajtur me ndonjë skuadër të tij.

Sport

23/09/2014 14:52

Basketbollisti serb Marko Simonovic, i lindur në Prishtinë, ka thënë se Serbia si shtet nuk mund të bëjë asgjë kundër politikës botërore, sa i përket pranimit të Kosovës.

Ngjarjet e fundit, me vendimin për pranimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF) janë edhe një dëshmi, sipas Simonovicit, se mund të përcillet edhe në sportet tjera.

“Në vitet e fundit jemi dëshmitar se lobi shqiptar i të ashtuquajturës shtet i Kosovës nuk zgjedh mjete për të arritur deri tek qëllimi. Kam dëgjuar se çfarë ndodhi në hendboll. Mund të them se është rezultat i politikës dhe se nuk ka lidhje me sportin. Assesi nuk më pëlqen ajo që është duke ndodhur. Personalisht, kurrë nuk do ta njoh Kosovën si shtet, për mua gjithmonë do të jetë pjesë e Serbisë”, deklaroi Simonovic për “Kurir”.

“Nëse ndonjë skuadër e imja duhet të luaj në Kosovë, do t’i shpjegoj klubit për situatën. Nuk e di vërtetë se si do të sillesha nëse do të duhej të luaja atje”, shtoi basketbollisti i cili ishte pjesë e Serbisë në Kampionatin botëror në Spanjë.