Serie A me Ronaldon dhe debutim të vështirë për Ancelottin

Serie A fillon sot sezonin e ri me shumë yje dhe ndryshime në skuadra.

Sport

18/08/2018 09:54

Dje në orën 20:00 u mbyll merkatoja në Serinë A dhe sot në orën 18:00 gjithçka është gati për të pritur debutimin e atij që u cilësua si transferimi i shekullit, Cristiano Ronaldos me Juventusin.

Do të jenë pikërisht kampionët në fuqi, që do të ngrenë siparin e kampionatit italian, në transfertën e “Bentegodit” ndaj Chievos, ku do të drejtohen “sytë e botës” për të parë debutimin e yllit portugez.

Gjithsesi e shtuna e parë e sezonit të ri të Serisë A nuk do të përfundojë këtu, pasi në mbrëmje vëmendja do të përqendrohet në kryeqytet, ku Lazio do të presë Napolin, në orën 20:30.

Bardhekaltrit kanë bërë një merkato mjaft interesante këtë verë, ndërsa fitorja më e madhe e Igli Tares ishte që arriti të ruajë në skuadër yjet e sezonit të kaluar, si Immobile, Luis Alberto, Milinkoviç-Saviç, etj.

Nga ana tjetër, Napoli ka ruajtur një profil të ulët në merkato, duke u mjaftuar me ruajtjen e grupit që u shpall nënkampion dhe përforcimin vetëm me elementë plotësues.

Por tashmë të kaltrit kanë në stol një trajner kampion, me një CV të pasur në Itali dhe Evropë, si Carlo Ancelotti, i cili është shprehur i kënaqur me organikën në dispozicion dhe ka premtuar një skuadër pretendente për titull, transmeton ‘SS’.

Të dy këto sfida do të transmetohen në Supersport 2, ndërsa në mbrëmje do të mund të ndiqni edhe emisionin e përhershëm të fundjavës, “Zona Gol”, ku natyrisht që do të diskutohet gjatë edhe për këto takime.