Roma e madhe

Roma vazhdon me fitore. Skuadra nga kryeqyteti italian ruajti bilancin e qindpërqindtë pas gjashtë xhirosh në Serie A duke mposhtur në ‘Olimpico’ Bolognën me rezultat të thellë 5-0. Në një ndeshje të dominuar nga vendasit nga fillimi e deri në fund, skuadra e trajnerit Rudi Garcia vazhdoi serinë e fitoreve duke ruajtur kreun e tabelës…

Sport

29/09/2013 21:38

Roma vazhdon me fitore. Skuadra nga kryeqyteti italian ruajti bilancin e qindpërqindtë pas gjashtë xhirosh në Serie A duke mposhtur në ‘Olimpico’ Bolognën me rezultat të thellë 5-0.

Në një ndeshje të dominuar nga vendasit nga fillimi e deri në fund, skuadra e trajnerit Rudi Garcia vazhdoi serinë e fitoreve duke ruajtur kreun e tabelës me 18 pikë, dy më tepër se Napoli dhe Juventus.

I riu Alessandro Florenzi e kaloi Romën në epërsi në minutën e 8-të, kurse përforcimi i ri i ardhur gjatë afatit kalimtar të verës nga Arsenal, sulmuesi Gervinho e dyfishoi avantazhin për ‘Giallorossët’ duke realizuar pas shërbimit nga Francesco Totti.

Një tjetër përforcim i ri, qendërmbrojtësi Mehdi Benatia shënoi për 3-0 në minutën e 26-të pas një goditje nga këndi, duke hapur rrugën e sigurt drejt fitores.

Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Gervinho shënoi golin e katërt për Romën në minutën e 62-të para se t’ia lirojë vendin Adem Ljajiqit, i cili realizoi golin e pestë për Romën.