Pse ende kemi nevojë për feminizmin?!

Feminizmi nuk është urrejtje ndaj meshkujve, nuk është besimi se femrat janë më të fuqishme se meshkujt ose se femrat meritojnë më shumë privilegje sesa meshkujt, apo besimi se femrat janë viktima. Feminizmi ka për qëllim që të gjithë njerëzit, meshkuj dhe femra, të kenë të drejta të barabarta, politike, ekonomike dhe sociale.

Fun

13/03/2017 20:03

Edhe pse gjithnjë e më shumë njerëzit kanë filluar të kuptojnë përkufizimin dhe idenë e vërtetë të feminizmit, ka gjithmonë dikund një njollë negative të bashkangjitur padrejtësisht. Pjesë e këtij problemi është edhe mënyra e konsumimit dhe paraqitjes së feminizmit tek njerëzit. Duke e kultivuar idenë e pastër si një homolog të kundërt të maskilizmit që është po aq i dëmshëm sa vet maskilizmi. Problemi tjetër shfaqet kur njerëzit marrin guxim të flasin për feminizmin në tërësi dhe ndodhin interpretime nga më të ndryshmet e shumica prej tyre, të gabuara.

Brengosës është fakti edhe i fushatave të ndryshme anti-feministe i burrave ndaj grave dhe edhe më keq, i grave ndaj grave, me justifikime të tilla si: “Unë nuk kam nevojë për feminizëm, sepse nuk dua të injoroj askënd”, “Unë nuk kam nevojë për feminizmin, tani jam e barabartë” e të tjera, gjë që nënkupton se feminizmi ende nuk është kuptuar drejtë dhe se nuk mund të kultivohet si e tillë në mënyrë individuale.

Derisa qëllimi kryesor i feminizmit është fuqizimi i femrës, nuk do të thotë se feministët i shohin gratë si të dobëta dhe të shtypura. Fuqizimi i femrës nuk ka për qëllim shtypjen e meshkujve, por ideja e feminizmit është që secili njeri duhet të vlerësohet si qenie njerëzore dhe jo si pjestar i një gjinie.

Pse kemi nevojë ende për feminizmin?!

Ka disa njerëz që mendojnë se feminizmi i takon së kaluarës sepse sistemi patriarkal nuk ekziston më. Në fund të fundit, ne kemi të drejtë të votojmë?! Nuk është se nuk e kemi dëgjuar këtë justifikim, por pavarësisht pse përqindja e femrave që votojnë është më e madhe se e meshkujve, numri i femrave që përfshihen në pozita të rëndësishme të udhëheqjes është vetëm 20-23 për qind.

Ne ende kemi nevojë për feminizmin kur shohim çdo ditë mënyrat se si femra nuk është e barabartë me mashkullin në shoqëritë e ndryshme. Përdhunimet, martesat e hershme, turpërimi dhe gjëra të tjera të ngjashme na bëjnë të kuptojmë se bota ka nevojë ende për feminizmin.

Edhe sot, në botën moderne, gruaja shihet si objekt dhe viktimë e prostitucionit të dhunshëm, gjithashtu në vende si India e Brazili, çdo e katërta femër përdhunohet, përkatësisht në Brazil, çdo 11 sekonda përdhunohet një femër.

Kemi nevojë për feminizmin kur e shohim se numri i aborteve në botë sot çdo ditë shënon rritje, kjo pasi që shtatzënitë jashtëmartesore ende konsiderohen të turpshme, pa e llogaritur se të tillat mund të ndodhin nga rastet e dhunimit dhe duke qenë se femrat nuk janë të barabarta në aspektin ekonomik me meshkujt e poashtu në atë social nuk mund të rrisin dhe nuk mund të përballojnë paragjykimet e të rriturit një fëmijë jashtë martesës.

Feminizmi nuk është ide që tregon se gratë duhet të jenë të trajtuara në një mënyrë të caktuar, por duhet të jenë të lira të zgjedhin se çfarë do të bëjnë në të ardhmën e tyre, duke përfshirë jetën private dhe karrierën e saj, duke e konsumuar lirinë pavarësisht çdo gjëje.

Ja edhe disa nga shumë arsye të tjera pse kemi nevojë për feminizmin: 

Vrasjet e nderit, janë ende prezente: 

Edhe pse mund të duket absurde, sot në vende si Pakistani, në vit ndodhin rreth 2,000 vrasje të grave për shkak të “nderit”. Nëse një femër është përdhunuar në vende të ndryshme të botës konsiderohet e pandershme dhe përjashtohet nga shoqëria në mënyrat më mizore e në raste, ndodhin edhe vrasje nga vetë familja.

Martesat e hershme: 

Mbi 40,000 femra në botë çdo vit martohen para moshës 18 vjeçare, 36 për qind prej tyre nën moshën 15 vjeçare, duke mos u brengosur fare për gjendjen e tyre shëndetësore, mospjekurinë seksuale, shëndetin mendor i cili cenohet nga mbingarkesa e një martese të tillë dhe gjëra të tjera.

Në këtë pikë, femrat nuk janë vet, edhe një numër bukur i madh i meshkujve, janë të detyruar të martohen para moshës 18 vjeçare, por që shifrat statistikore, tregojnë se rastet janë dukshëm më të theksuara tek femrat.

Foshnjet femra vriten, sepse meshkujt kanë më shumë vlerë:

Në vende të ndryshme të botës, shembull në provinca të Kinës, kjo dukuri është shumë prezente. Foshnjet femra konsiderohen të pavlera dhe si të tilla vriten, duke pretenduar se meshkujt janë qenie e cila i duhet familjes dhe jo femrat.

Dhunimi, në të gjitha format: 

Kur flasim për dhunimin, gjëja e parë që na vjen në mend është përdhunimi seksual ose edhe ai fizik dhe kur jemi tek kjo duhet të përmendim vendet me rastet më të shpeshta të përdhunimit siç janë: Etiopia, Shrilanka, India e Afrika e Jugut, por për tu çuditur është fakti se në këtë listë, zënë vend edhe shtete si Franca, Gjermania, SHBA-të, Kanada e Suedia.

Dhunimi nuk është vetëm fizik dhe seksual. Sot femra më së shumti vuan nga dhunimi i lirisë, dhunimi i mendimit dhe dhunimi i të drejtës për të bërë zë.

Ngacmimi seksual, është prezent pothuajse kudo: 

Femra, në shumicen e rasteve sot, shihet si objekt dhe kjo ka bërë që të jetë target i miliona sulmeve të ngacmimit seksual. Në shkollë, në punë, në rrugë, në mjet transporti, kudo.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shifrat flasin se rreth 80 për qind e të miturave nga mosha 12-16 vjeçare kanë qenë të ngacmuara seksualisht, shifra këto tejet shqetësuese, kur e dimë se po flasim për një vend të zhvilluar siç janë SHBA-të.

55755d7c3ffdf

Prostitucioni i dhunshëm: 

Mbi 20,000,000 njerëz sot, janë viktimë e prostitucionit të dhunshëm, 98 për qind prej tyre femra, ndërsa dhjetra-qindra prej tyre, nën moshën 18 vjeçare.

Vetëm në Amerikë, mbi 100,000 fëmijë janë detyruar të kenë marrëdhënie seksuale me pagesë në forma të dhunshme.

55755d7c78b8f

Për këto dhe shumë arsye të tjera, bota ende ka nevojë për feminizmin, për fuqizimin e femrës, për një botë të barabartë dhe të drejtë për të gjithë./Lajmi.net/