Pas dy muajsh kërcënime, dorëzohet Ramiz Kelmendi

Ka rreth dy muaj që kur ka filluar kërcënimet publike ndaj partisë, përmes së cilës u zgjodh deputet.

Lajme

29/04/2016 21:40

Biznesmeni Ramiz Kelmendi i cili përveç tjerash njihet më së shumti edhe për sjelljen e produkteve serbe në Kosovë, sonte ka braktisur PDK-në.

Disa herë ka dal në media duke thënë se dëshiron postin e zëvendësministrit, se në këtë parti nuk po mund të jetë aktiv sa i përket fushës së ekonomisë dhe të tjera, e në fund si duket kërcënimi nuk i bëri punë, raporton lajmi.net

Ramiz Kelmendi fillimisht tha se nuk është i pakënaqur me PDK-në, parti kjo në cilën kaloi nga AAK-ja, por ai kërkonte angazhim në Qeveri. Dikur paralajmëroi dorëheqje, por qëndroi ende PDK, sipas tij, pas rekomandimeve të miqve.

“Çka të bëjë unë me energjinë që kam, nuk kam as nuk kam pasur asnjë të keqe në këtë parti, ky mllef ka të bëjë vetëm për mundësitë e kontributit tim në zhvillim ekonomik”, tha ai në fillim.

Më vonë filloi të kërkonte postin e zëvendëskryeministrit madje hapur.

Por, si duket pakënaqësitë rreth kësaj çështje ishin më të mëdha brenda PDK-së.

Ai nuk kishte peshë të madhe politike brenda PDK-së, por vazhdoi të insistonte në pozitën më të rëndësishme që PDK ka brenda kabinetit qeveritar.

Thoshte në deklaratat e tij se vendi ka nevojë për një ekspert që nga pozita e zëvendëskryeministrit mund t’i udhëheqë dhe t’i koordinojë ministritë që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik.

Por, duket që Kelmendi nuk e kishte të qartë ndarjen e pushtetit brenda koalicionit të tanishëm në mes të PDK-së dhe LDK-së, pasi që LDK mban ministritë kryesore për zhvillim ekonomik – atë të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Nuk pritej që kryeministri aktual, Isa Mustafa të pranonte kalimin e kompetencave të tij për të udhëheqë me zhvillimin ekonomik, sidomos duke konsideruar që vet Mustafa është ekonomist i doktoruar.

Lajmi.net më parë ka raportuar që brenda PDK-së, sidomos në rajonin e Drenicës, ka kundërshtime të ashpra kundër emërimit të Kelmendit në pozitën e zëvendëskryeministrit të PDK-së.

Përpos kundërshtimeve nga Drenica, Kelmendi konsiderohet si politikisht dhe institucionalisht pa përvojë për të marrë pozitën kryesore ekzekutive të PDK-së.

Megjithatë, Kelmendi ka theksuar se zhvillimi ekonomik është domosdoshmëri për Kosovën dhe se duhen ndryshime të shpejta që qytetarët të mos presin një shekull për të jetuar si në Evropë./ Lajmi.net