Drenica kundër që Ramiz Kelmendit t’i jepet posti i zv.kryeministrit

Ambicia e Ramiz Kelmendit për të marrë pozicionin më të lartë të PDK-së në Qeveri, atë të zv.kryeministrit, po kundërshtohet edhe nga bastioni kryesor i partisë, Drenica.

Lajme

10/04/2016 19:38

Ky rajon që është më meritori për rezultatin elektoral të PDK-së, është i pakënaqur me përfaqësimin në Qeveri, dhe përfaqësimin jo meritor të disa rajoneve tjera, sidomos të rajonit të Pejës. Rajon ky që dërgon shumë pak vota krahasuar me përfaqësimin në Qeveri.

Pas raportimeve që Ramiz Kelmendi ka kërkuar pozitën kryesore të PDK-së në ekzekutiv, udhëheqësit e degëve të PDK-së në rajonin e Drenicës (Drenasit dhe Skenderajt), lajmi.net mëson se kanë shprehur kundërshtime të thella për një gjë të tillë.

Duke komentuar rreth ambicieve të Ramiz Kelmendit për të marrë pozitën kryesore ekzekutive që i takon PDK-së, në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë i kësaj partie nga Drenasi ka thënë se Drenica duhet të marrë atë që i takon.

“Peja gjithmonë ka qenë e mbipërfaqësuar me pozita ekzekutive në Qeveritë e PDK-së, edhe pse PDK nga ai rajon ka marrë shumë me pak vota. Është koha që votat të përkthehen edhe në përfaqësimin e vërtetë dhe të denjë në nivelin qeveritar. Drenasi dhe Skenderaj janë shtyllat e mbështetjes së PDK-së dhe si të tilla ndihemi të nënpërfaqësuara”, ka thënë ai.

Duket që kryetari i ri i PDK-se, Kadri Veseli, do të duhet të ballafaqohet me sfidat e “luftërave” për pushtet brenda PDK-së.

Lajmi.net është munduar sot gjate ditës të marrë një prononcim nga Veseli për këtë temë, por nuk ka arritur, edhe për shkakun se ai ka udhëtuar jashtë vendit. /lajmi.net