Misioni i pamundur i Ramiz Kelmendit

Biznesmeni Ramiz Kelmendi pretendon të marrë postin e Zëvendëskryeministrit të Kosovës. Por ai nuk mund ta marrë një detyrë të tillë, kur ka vetëm dy vjet në PDK dhe ku i duhen kapacitete të tjera nga ai i biznesmenit, për të koordinuar partinë me qeverinë. Që nga viti 2007 kur PDK-ja vazhdon t’i fitojë zgjedhjet, gjatë koalicioneve qeveritare, këtë post gjithmonë e mban nënkryetari i PDK-së. Së fundi, e mbante vetë kryetari i PDK-së, tash president i vendit.

Lajme

08/04/2016 19:43

Ramiz Kelmendi, biznesmeni i shndërruar në politikan, pretendon të marrë një  post të rëndësishëm në qeveri.

Ky post deri para pak javësh, i takonte presidentit aktual, Hashim Thaçit.

Ramiz Kelmendi,  aktualisht deputet i PDK-së, ka shfaqur ambicie për të marrë detyrën e Zëvendëskryeministrit të Kosovës.

Një kërkesë të tillë, merret vesh se Kelmendi e ka bërë duke kërcënuar se nëse nuk e merr postin që dëshiron,  ai do të largohet nga partia.

Kërcënimin e tij, ai më shumë se asnjëherë e shfaqi para votimit të Thaçit për president muajin e kaluar  edhe pse më vonë tha se nuk do të largohet nga PDK-ja.

Megjithëkëtë, një post i tillë nuk është sikur drejtimi i një biznesi. Me koalicionin aktual qeverisës,  posti i  Zëvendëskryeministrit është shumë i rëndësishëm  për funksionimin partnerëve politik në pushtet.

Me situatën kur  ekzekutivin e drejton kryetari i një partie tjetër, në këtë rast LDK-së dhe qeveriset bashkë me një parti minoritare si Lista Serbe,  Kelmendi i PDK-së vështirë se do të mund ta ushtronte si duhet këtë detyrë.

Për më tepër, e kaluara e Kelmendit në PDK është e gjatë vetëm dy vjet, kur deri në zgjedhjet e  fundit parlamentare në vitin 2014, ai ishte në AAK, parti kjo tash në opozitë.

Në anën tjetër, PDK-ja nuk do ta kishte luksin që këtë pozitë kaq të rëndësishme. t’ia jap dikujt i cili vështirë se do të mund t’i koordinonte  partnerët e koalicionit.

Kjo për faktin se në disa raste, nuk mjafton vetëm pozita që mban,  por edhe autoriteti moral që dikush mund të ketë mbi ministrat e një partie, në këtë rast të PDK-së.

Duke marrë parasysh të gjitha këto rrethana,  pozicioni i Kelmendit në parti nuk ia jep një mundësi dhe shpresë të tillë,  aq më pak kur  PDK–ja edhe në të kaluarën, e ka praktikuar që në postin e Zëvendëskryeministrit, të përfaqësohet të paktën me nënkryetarin e partisë./lajmi.net