Ofensiva e autoriteteve për shuarjen e celulave të ISIS-it në Kosovë e suksesshme

Masat e ndërmarra nga autoritetet e Kosovës, kundër organizatave dhe individëve që merrnin pjesë dhe rekrutonin e njerëzve për t’u bërë pjesë e luftërave në Siri dhe Irak, nga raportet e shërbimeve inteligjente, vlerësohen si të suksesshme. Këto masa vlerësohet se kanë ndikuar në shuarjen e celulave të ISIS-it në Kosovë.

Lajme

22/03/2015 22:03

Pjesëmarrja e shtetasve të Kosovës në luftimet në Siri, ka bërë që autoritetet vendore dhe ndërkombëtare të mobilizohen dhe të ndërmarrin hapa konkrete për parandalimin e përhapjes së kësaj dukurie në Kosovë. Kosova tashmë është bërë edhe pjesë e Koalicionit Global kundër ISIS-it dhe me kapacitetet e saj kontribuon në shkëmbimin e të dhënave inteligjente, në kryerjen e hetimeve të përbashkëta dhe po bashkëpunon në fusha me interes, përfshirë edhe ndalimin e personave të caktuar që t’i bashkohen grupeve terroriste në Siri dhe Irak.

Sipas raportit konfidencial që ka siguruar lajmi.net, janë disa faktorë që kanë ndikuar në zvogëlimin e përhapjes së këtij fenomeni në Kosovë.

“Miratimi i ligjit që sanksionon bashkëngjitjen me grupet e armatosura si vepër penale. Ofensiva e ndërmarrë në fund të vitit 2013 dhe në fillim të vitit 2014 ndaj ISIS-it. Thirrjet nga institucionet relevante për të mos iu bashkuar konfliktit në Siri. Pengimi apo parandalimi i personave nga institucionet relevante për të udhëtuar në drejtim të Sirisë. Ndërmarrja e masave ligjore ndaj personave të dyshuar për pjesëmarrje në grupe terroriste, përkrahje të grupeve, nxitje të urrejtjes, përçarjes apo mos durimit fetar”, sipas këtij raporti janë disa prej veprimeve të ndërmarra nga institucionet për parandalimin e ekstremizmit në Kosovë.

Bazuar në ligjet e Kosovës janë marrë masa konkrete ndaj dhjetëra individëve nën dyshimin e bazuar për pjesëmarrje në organizata ekstremiste dhe terroriste të përfshira në konfliktin në Siri/Irak.

Gjithashtu, masa janë ndërmarrë edhe ndaj atyre që kanë motivuar, nxitur, rekrutuar, financuar dhe koordinuar dërgimin e qytetarëve të tjerë në këto konflikte.

“Për nxitje të urrejtjes fetare, nacionale dhe racore në Kosovë janë arrestuar me 5 nëntor 2013 pesë persona. Me 26 qershor 2014 janë arrestuar katër persona. Me 11 gusht 2014 janë arrestuar 47 persona, me 17 shtator 15 persona dhe me 15 shtator i është suspenduar aktiviteti edhe 14 OJQ-ve vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në këtë raport konfidencial të siguruar nga lajmi.net. Sipas këtij raporti, arrestimet në numër më të vogël të të dyshuarve kanë vazhduar edhe gjatë muajve të fundit.

Autoritetet kosovare sipas këtij raporti, po vazhdojnë të ndërmarrin edhe masa të tjera mbikëqyrëse. Aktivitetet e të gjithë personave që përkrahin “luftën e shenjtë” në Siri janë duke u mbikëqyrur nga organet e sigurisë dhe inteligjencës. Gjithashtu, po mbikëqyren edhe personat që kanë marrë pjesë në konfliktin e Sirisë/Irakut pas kthimit të tyre.

“Janë 31 persona që dyshohet se kanë qenë në Siri, të cilët janë në procesin e konfirmimit”, thuhet në këtë raport, duke shtuar se edhe masa e ndalesës ndaj personave të huaj “Stop Listës”, që kanë mbështetur idenë e luftës së shenjtë është duke u aplikuar shumë strikt nga ana e autoriteteve kosovare.

Përkundër që siguria në Kosovë vlerësohet relativisht e qetë, nuk mungojnë as indiciet për ekzistimin e rrezikut nga veprimi i ndonjë personi si i pavarur apo duke marrë instruksione nga të tjerët.

E sidomos pas fushatës së armatosur të SHBA-ve dhe vendeve aleate për t’i zvogëluar kapacitetet e ISIS-it, mund të priten zhvillime të reja edhe në Ballkanin Perëndimor. “Shpërbërja dhe shpërndarja e pjesëtarëve të grupeve terroriste “Al Nusra” dhe “ISIS” nëpër vendet e origjinës me mision për kryerje të sulmeve terroriste, si dhe mundësia e kryerjes së ndonjë akti terrorist nga persona me prirje ekstreme që veprojnë në mënyrë individuale, formë e ashtuquajtur ‘Ujku i vetmuar’”, përshkruhen si rrezik aktual edhe në Kosovë, sipas këtij raporti.

Koordinimi ndërmjet institucioneve të sigurisë me partnerët strategjikë ndërkombëtar, vlerësohet se është jetik për parandalimin e sulmeve terroriste. (lajmi.net)

Lexo edhe këta artikuj: 

Sa kosovarë janë vrarë në Siri e Irak dhe sa janë përfshirë në ato luftëra

Shërbimet sekrete e shohin Kosovën të rrezikuar nga sulmet terroriste

OJQ-të e para që përhapën ekstremizmin në Kosovë