Ekskluzive: OJQ-të e para që përhapën ekstremizmin në Kosovë

Rritja e jo-tolerancës dhe e tendencave për prishjen e harmonisë fetare të kultivuar me shekuj të tërë në Kosovë, ishte shtuar dukshëm në vitet e pasluftës.

Lajme

21/03/2015 12:59

Luftërat dhe konfliktet e armatosura në Ballkanin Perëndimor, në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, kanë ngritur nivelin e radikalizmit dhe ekstremizmit në Ballkan, thotë një raport konfidencial i shërbimeve të inteligjencës, i shkëmbyer ndërmjet autoriteteve vendore e ndërkombëtare, të cilin e ka siguruar lajmi.net.

“Personat me bindje ekstreme fetare nga vendet e lindjes, për herë të parë janë aktivizuar në luftën e Bosnje e Hercegovinës në krah të myslimanëve, prej ku edhe e kanë filluar përhapjen e bindjeve ekstreme fetare”, shkruan në këtë raport, sipas të cilit që nga viti 1990, radikalët dhe disa OJQ nga vendet e huaja kanë ardhur në pjesë të caktuara të Ballkanit, të populluara me myslimanë dhe kanë filluar prezantimin e doktrinave radikale-ekstreme, duke indoktrinuar banorët e tyre.

“Fillet e para të përhapjes së ideologjive dhe doktrinave radikale në Kosovë paraqiten në vitet 1999-2000, me ardhjen e disa OJQ-ve ndërkombëtare që filluan propagandimin dhe përhapjen e rrymave ekstreme fetare përmes aktiviteteve të ndryshme, duke shpërndarë ‘ndihma’ dhe financuar projekte për këtë qëllim”, thuhet në këtë raport konfidencial, të siguruar nga lajmi.net.

Organizatat e para ndërkombëtare me prirje ekstremiste, sipas këtij raporti konfidencial, me informacione të klasifikuara, ishin Al WAQF Alislami Organization Kosovë, e themeluar më 6 mars 2000, International Islamic Relief Organization – IIRO Kosovë, e themeluar me 1 shkurt 2000 dhe World Assembly of Muslim Youth – WAMY Kosovë, e themeluar gjithashtu në shkurt të vitit 2000 në Kosovë.

Ndërsa, sistemi i dobët i institucioneve të sigurisë së UNMIK-ut për mbikëqyrjen e aktiviteteve të OJQ-ve, financimit të tyre dhe qëllimeve e aktiviteteve, vlerësohet se është njëra prej elementeve kryesore që ka ndikuar në shpërndarjen e ekstremizmit në Kosovë.

Ndërkaq, faktorë të tjerë që kanë ndikuar në shpërndarjen e ekstremizmit në Kosovë vlerësohet se janë edhe pasojat e luftës së fundit, që përfshijnë shkatërrimin e ekonomisë, pasojat psikike/mendore, sociale, pastaj dëmtimi i objekteve kulturore, sportive dhe edukative, të cilat kanë reduktuar në masë të madhe aktivitetet rinore. Gjithashtu, faktorë tjetër shihet edhe tranzicioni i shoqërisë, trendi i ndryshimeve, tendenca për t’u dukur ndryshe dhe tendencat për dominimin e një kulture mbi tjetrën, të një feje mbi tjetrën, të një sekti mbi sektin tjetër, qoftë edhe brenda një komuniteti fetar. E rol të madh në përhapjen e ekstremizmit, po sipas këtij raporti, ka luajtur edhe ofrimi i literaturës me ideologji ekstremiste në gjuhën shqipe, ku target I tyre kanë qenë kryesisht moshat e reja që nuk kanë pasur njohuri për fenë.

Ndërsa, në rritjen e kësaj dukurie në Kosovë vlerësohet se ka ndikuar edhe niveli i lartë i papunësisë, sepse ekstremizmi është përhapur kryesisht te moshat e reja dhe shumica e personave që kanë shkuar për të mbështetur luftërat në Siri dhe Irak nuk kanë pasur një punë stabile. (lajmi.net)

Vazhdon:

A paraqet ekstremizmi rrezik për sigurinë e Kosovës?

A është Kosova vend transiti i terroristëve?

A është e përhapur doktrina selefiste në Kosovë?

Sa është shqetësues niveli rritës i radikalizimit të kosovarëve si pasojë e pjesëmarrjes në luftime?

A paraqet rrezik kontakti i tyre me persona të tjerë për krijimin e celulave të caktuara terroriste?