Ekskluzive: Sa kosovarë janë vrarë në Siri e Irak dhe sa janë përfshirë në ato luftëra

Luftimet në Siri dhe Irak u mbështetën drejtpërdrejtë edhe nga 195 kosovarë. Prej tyre, 93 ishin kthyer në Kosovë dhe 62 ishin duke u hetuar, shumica prej të cilëve edhe janë arrestuar muaj më parë, pas një periudhe të hetimit paraprak rreth aktivitetit të tyre të dyshimit, thuhet në një raport konfidencial të shërbimeve të inteligjencës, i shkëmbyer ndërmjet autoriteteve kosovare dhe ndërkombëtare, të cilin e ka siguruar lajmi.net.

Lajme

22/03/2015 16:42

Gjatë luftimeve në konfliktet e Lindjes së Mesme, në këtë raport thuhet se janë vrarë 27 kosovarë, kurse 59 të tjerë ende gjenden në Siri/Irak si pjesë e grupeve terroriste.

Ndërkaq, për shtatë prej kosovarëve që kanë qenë pjesë e luftimeve në Irak/Siri nuk ka të dhëna të sakta për vendndodhjen aktuale të tyre. Pesë prej tyre janë në kërkim dhe katër kosovarë të tjerë që ishin më herët pjesë e luftimeve në Siri/Irak aktualisht nuk dihet se në cilin shtet mund të jenë.

Ky është bilanci i deritashëm i Kosovës në raport me pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftimet në këto luftëra.

Autoritetet kanë punuar edhe në identifikimin e motivet që kanë shtyrë kosovarët të bëhen pjesë e këtyre luftërave të huaja.

Në raportin e siguruar nga lajmi.net, thuhet se ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në motivimin e kosovarëve për të shkuar drejtë Sirisë dhe Irakut. Por, praktika e deritashme ka treguar se motivi kryesor i shkuarjes së vullnetarëve buron nga bindjet ideologjike të fituara nga ekstremizmi fetar, të indoktrinuar nga mësimet, dogmat, propaganda në internet dhe masmedia, si dhe nga individë të caktuar me prirje ekstremiste islamike.

“Motive shtytëse për pjesëmarrjen e tyre në luftën e Sirisë, përveç bindjes fetare janë edhe publikimet në media të imazheve tronditëse të popullatës së pambrojtur në Siri, por edhe nga ligjëratat e zhvilluara nga imamët e ndryshëm vendorë dhe ata të huaj, duke i dhënë konotacion fetar luftës në Siri. Përveç bindjeve fetare, disa persona si motiv kanë pasur apo kanë edhe përfitimet materiale”, thuhet në raportin konfidencial të siguruar nga lajmi.net, sepse sipas disa interpretimeve të ngushta që bëjnë individët me bindje ekstreme fetare, plaçka e luftës është e lejuar për t’u përvetësuar.

“Trendi i shkuarjes së kosovarëve në Siri është identifikuar qysh nga mesi i vitit 2012, por pjesëmarrja është intensifikuar gjatë vitit 2013”, thuhet më tej në këtë raport, sipas të cilit, trendi ka shënuar rënie gjatë muajve të fundit.

“Janë regjistruar vetëm disa përpjekje për t’iu bashkuar luftimeve në Siri dhe identifikimi i ndonjë personi që kohë më parë ka qenë atje dhe tani është e ditur edhe vendndodhja e tyre”.

Lexo edhe këta artikuj: 

Shërbimet sekrete e shohin Kosovën të rrezikuar nga sulmet terroriste

OJQ-të e para që përhapën ekstremizmin në Kosovë

Ndërsa, zonat më të prekura nga kjo dukuri në Kosovë, sipas këtij raporti, janë Kaçaniku, Hani i Elezit, Ferizaji, Prizreni, Gjilani, Vitia dhe Mitrovica, sepse më së shumti organizime për përkrahje dhe shkuarje të kosovarëve në xhihadin sirian kishte nëpër këto komuna.

“Nga ky fenomen më shumë janë të prekura zonat kufitare, sidomos me Maqedoninë e Serbinë dhe më pak nga zonat kufitare me Shqipërinë dhe Malin e Zi”, thuhet në raport, sipas të cilit, kjo ka ndodhur për shkak të aktivitetit dhe ndikimit të madh të disa imamëve me prirje radikale/tekfire nga Maqedonia te popullata shqiptare.

Kurse, në zonat kufitare me Serbinë dhe Malin e Zi, ndikim kanë pasur edhe individët me përkatësi boshnjake nga këto dy shtete kufitare të cilët kanë lidhje identiteti me komunitetin boshnjak në Kosovë.

Financimi i tyre është bërë kryesisht në baza shoqërore, me mbulim të shpenzimeve të udhëtimit dhe atyre ditore, dhe deri më tani shërbimet inteligjente nuk kanë hasur në ndonjë financim të organizuar mirë për të dërguar luftëtarë nga Kosova në Siri. (lajmi.net)

Vazhdon:

Cilat janë masat e ndërmarra nga Kosova për parandalimin e ekstremizmit fetar? Cilat ishin aksionet e ndërmarra?

A po mbikëqyren personat që përkrahin “luftën e shenjtë” në Siri?

Si vlerësohet situata e sigurisë?

A rrezikohet Kosova nga aktet terroriste të ashtuquajtura “Ujku i vetmuar”?