Nëse largohet nga Napoli, ky do të jetë ekipi i ri i Sarrit

Maurizio Sarri ka zgjuar interesim nga një top klub nga Premierliga.

Sport

28/04/2018 15:28

Maurizio Sarri i shkel syrin Premier League-s. Siç publikon e përditshmja “London Evening Standard”, nëse nuk do të arrihet marrëveshja me Napolin për kontratën e re, tekniku mund të bëjë gati valixhet me destinacion Anglinë.

Në të vërtetë, Maurizio Sarri ka një kontratë të vlefshme me të kaltrit, që parashikon qëndrimin e tij në “San Paolo” deri në vitin 2020, por 59-vjeçari italian kërkon kushte të tjera financiare në rinovimin e kontratës, teksa paga aktuale e tij është 1.5 milionë euro në sezon.

Njëherazi kjo kontratë ka të përfshirë në të edhe një klauzolë largimi prej 8 milionë eurosh, çka nënkupton se spekulimet e fundit që po projektojnë në mënyrë prepotente teknikun Sarri në stolin e Chelseat mund të konkretizohen lehtësisht. De Laurentiis më shumë se në një rast ka treguar se dëshiron ta blindojë trajnerin toskan, çka nëkupton se termat financiarë nuk mjaftojnë për të mbajtur atë në stolin e Napolit, transmeton “SuperSport”.

Sarri kërkon edhe garanci në aspektin teknik, aksesin në e plotë në merkato çka do t’i lejonte përforcimin e grupit, duke e bërë këtë skuadër edhe më kompetitive. Në rast se tekniku do të zgjidhte Premier League-n kjo do të ishte aventura e parë jashtë Italisë në karrierën e tij.

Përpara se të ulej në stolin e Napolit Sarri ka trajnuar edhe 11 skuadra të tjera, por gjithmonë brenda kufijve të Italisë.

Jo vetëm Chelsea, por edhe Arsenali kërkon shërbimet e trajnerit italian, i cili mund ta çojë Napolin drejt trofeut të parë në Serinë A pas plot 28 vitesh.

Nëse Sarri shkon te Chelsea, me shumë mundësi do të merrte me vete edhe mbrojtësin shqiptar, Elseid Hysaj, për të cilin është folur se ka interesim konkret nga blutë e Londrës.