Në selinë e FFK-së është mbajtur seminari për licencimin e klubeve për garat e UEFA-s.

Sot, në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, është mbajtur seminari për licencimin e klubeve për garat e UEFA-s.

Sport

29/01/2019 17:16

Ky ishte viti i tretë radhazi që një seminar i tillë është mbajtur nga shtëpia e futbollit të Kosovës.

Në këtë seminar, klubet janë njoftuar për procesin e licencimit si dhe risitë në këtë proces, përcjell lajmi.net.

Gjithashtu, është bërë e ditur se FFK këtë vit ka aplikuar për organizimin e raundit parakualifikues që mbahet me katër skuadra.

Më poshtë, lajmi.net ua përcjell njoftimin e plotë të faqes zyrtare të FFK-së.

29 janar, 2019 – Sot në selinë e FFK-së për të tretin vit radhazi është mbajtur seminari për licencimin e klubeve për garat e UEFA-s. Fillimisht përfaqësuesit e klubeve i përshëndeti presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili i falënderoi ato për organizim shumë të mirë në stinorin vjeshtor dhe theksoi se tashmë të gjitha klubet janë të vetëdijshme për rëndësinë dhe peshën që ka licencimi për gara evropiane.

“Deri më tash kemi qenë mirë sa i përket licencimit të klubeve, por duhet të vazhdojmë të punojmë me përpikëri në të gjitha segmentet. Pas rezultateve të mira që kemi pasur me ekipin kombëtar, ne kemi bërë kërkesë që kampionati ynë të vlerësohet dhe ngritet në nivel më të lartë, pasi ne konsiderojmë se nuk jemi në nivel me disa shtete që i kanë ligat shumë më të dobëta. Pra, qëllimi ynë është që kampionati ynë të vlerësohet më lartë, në mënyrë që të rritet numri i ekipeve që do të jenë pjesë e garave evropiane. Por, për të arritur këtë duhet që të kemi rregullsi dhe cilësi të garave, pastaj infrastrukturë më të mirë dhe organizim të mirëfilltë të ndeshjeve”, ka theksuar presidenti Ademi.

Tutje presidenti ka thënë se barra kryesor për organizim dhe cilësi i bie klubeve, duke shpresuar se të gjithë do të kontribuojnë që të nxjerrim rezultatin real të këtij edicioni, në mënyrë që deri te suksesi të arrijnë ekipet që e meritojnë. Presidenti theksoi se organet e FFK-së do ta bëjnë punën e tyre dhe se nuk do të tolerohet asnjë gabim.

“E kam thënë edhe më parë dhe po e përsërisë se nuk do ta falë asnjë gabim. Ato të paqëllimtat do t’i sanksionojmë në mënyrë sportive me organet tona, kurse gabimet e qëllimta do t’ia delegojmë Këshillit Kombëtar kundër dukurive negative në sport. Në këtë mënyrë do të ecin përpara ekipet më cilësore dhe kësisoj do t’ia ruaj edhe investimet të gjithë njerëzve që po investojnë në futboll”, ka shtuar Ademi, duke uruar klubet për një garë korrekte dhe prestigjioze në stinorin pranveror.

Ndërkohë, më pas kanë vazhduar punimet e seminarit ku menaxheri i licencimit, Bajram Shala, zv.sekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti dhe eksperti financiar, Indrit Canolli i kanë njoftuar klubet për procesin e licencimit, si dhe për risitë në këtë segment.

Menaxheri i licencimit, Bajram Shala ka njoftuar klubet se edhe sivjet skuadra kampione do të marrë pjesë në raundin parakualifikues që zhvillohet me katër ekipe. Ai ka bërë të ditur se FFK-ja sivjet ka aplikuar që ta marrë organizimin e këtij raundi, në mënyrë që t’i krijojmë kushte sa më të mira klubit kampion që ta përfaqësojë Kosovën sa më mirë dhe ta ketë përkrahjen e tifozëve.

Në vazhdim të seminarit pati diskutime të ndryshme rreth procesit të licencimit, ku ekspertët dhanë shpjegimet e tyre. /Lajmi.net/