Në OKB diskutohet sot ndalimi i armëve bërthamore

Mbi 100 vende do të marrin pjesë në një takim të Kombeve të Bashkuara, për të diskutuar ndalimin global të armëve bërthamore.

Bota

27/03/2017 09:05

Megjithatë, fuqitë kryesore botërore nuk do të marrin pjesë.

Në tetor, 123 vende të OKB-së kanë votuar për takimin e sotëm, ndërsa Rusia, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Japonia, Izraeli dhe 29 vende të tjera kanë votuar kundër propozimit.

Kina, India dhe Pakistani kanë abstenuar.

Austria, Irlanda, Meksika, Brazili, Afrika Jugore dhe Suedia janë duke udhëhequr përpjekjet për ndalimin e armëve bërthamore.

Mbështetësit thonë se kërcënimi i katastrofës bërthamore është duke u rritur, për shkak të programit bërthamor të Koresë së Veriut dhe administratës së paparashikueshme në Uashington.

Sipas kundërshtarëve, propozimi nuk ofron mënyra praktike për të arritur ndalimin e armëve bërthamore.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, edhe pse nuk do të marrë pjesë në takim, planifikon të lëshojë një deklaratë gjatë ditës.