Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” Sh.A. merr vendim për shkarkimin e Kryeshefit Ekzekutiv
Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” Sh.A., në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 23.10.2026, pas shqyrtimit të përmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive të Kryeshefit Ekzekutiv dhe pas dëgjimit të sqarimeve të tij, me pesë (5) vota për, asnjë (0) kundër dhe asnjë (0) abstenim, ka marrë vendim për shkarkimin e z. Hasan Krasniqi nga…
Lajme
Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” Sh.A., në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 23.10.2026, pas shqyrtimit të përmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive të Kryeshefit Ekzekutiv dhe pas dëgjimit të sqarimeve të tij, me pesë (5) vota për, asnjë (0) kundër dhe asnjë (0) abstenim, ka marrë vendim për shkarkimin e z. Hasan Krasniqi nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv.
Vendimi është marrë në kuadër të kompetencave ligjore dhe mbikëqyrëse të Bordit, pas shqyrtimit të dokumentacionit relevant të Kompanisë, akteve të organeve kompetente administrative dhe gjyqësore, raportimeve dhe komunikimeve të Menaxhmentit, si dhe sqarimeve të dhëna nga Kryeshefi Ekzekutiv para Bordit.
Në vlerësimin e tij, Bordi i ka kushtuar rëndësi të veçantë trajtimit nga Menaxhmenti të çështjes së objektit administrativ pranë Digës së Liqenit të Radoniqit dhe detyrimeve që kanë rezultuar nga aktet e organeve kompetente.
Bordi ka vlerësuar se, pas Aktvendimit nr. 61/2026 të datës 09.09.2026, me të cilin KRU “Gjakova” Sh.A. ishte urdhëruar të ndërmarrë masa për ndërprerjen e aktivitetit të operatorit në objektin në fjalë dhe ishte përcaktuar se ankesa nuk e shtyn ekzekutimin, kërkohej trajtim konkret, i dokumentuar dhe në kohë nga Menaxhmenti, në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tij.
Në kuadër të shqyrtimit, Bordi ka analizuar edhe dokumentacionin që lidhet me kërkesën e KRU “Gjakova” Sh.A. të vitit 2017, Pëlqimin nr. 1945-2/17 të datës 02.05.2017 dhe Kontratën e Qirasë të datës 04.04.2018. Nga dokumentacioni i administruar dhe i paraqitur para Bordit nuk është identifikuar ndonjë akt tjetër i mëvonshëm i organit kompetent që autorizon shprehimisht përdorimin e objektit me destinim “Restorant dhe Hotel”, siç është përcaktuar në Kontratën e Qirasë.
Bordi ka marrë në konsideratë edhe shqetësimet e Menaxhmentit lidhur me pasojat eventuale kontraktuale dhe financiare në raport me operatorin ekonomik. Megjithatë, është vlerësuar se zbatimi i urdhrit administrativ për ndërprerjen e aktivitetit duhej të trajtohej veçmas nga çështja e zgjidhjes apo ndërprerjes përfundimtare të Kontratës së Qirasë.
Para marrjes së vendimit, z. Hasan Krasniqi është dëgjuar nga Bordi dhe i është dhënë mundësia të paraqesë qëndrimin e tij, të japë sqarime për veprimet e ndërmarra dhe të paraqesë dokumentacionin që e konsideronte relevant.
Pas shqyrtimit të tërësishëm të dokumentacionit, rrethanave të çështjes dhe sqarimeve të dhëna, Bordi ka vlerësuar se masat e ndërmarra nga Kryeshefi Ekzekutiv nuk kanë qenë të mjaftueshme për trajtimin dhe zbatimin, në kuadër të kompetencave të tij, të detyrimeve që rridhnin nga aktet administrative të ekzekutueshme dhe për adresimin e plotë të çështjeve të evidentuara lidhur me dokumentacionin dhe përdorimin e objektit.
Për rrjedhojë, Bordi ka vlerësuar se mënyra e trajtimit të kësaj çështjeje përbënte mangësi serioze në përmbushjen e përgjegjësive menaxheriale dhe kishte cenuar besimin e nevojshëm të Bordit për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të Kryeshefit Ekzekutiv nga z. Hasan Krasniqi.
Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” Sh.A. mbetet i përkushtuar ndaj ligjshmërisë, mbrojtjes së interesit dhe pasurisë së ndërmarrjes publike, transparencës dhe ushtrimit me përgjegjësi të funksionit të tij mbikëqyrës.
Bordi i Drejtorëve
KRU “Gjakova” Sh.A.