Zeka: Reformat e BE-së, investimet dhe energjia duhet të jenë prioritet, partneriteti me SHBA-në mbetet peng

Kosova duhet të përshpejtojë reformat ligjore në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian, të rrisë investimet publike dhe të zhvillojë kapacitetet energjetike, në mënyrë që të krijojë kushte për zhvillim ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve. Ndërkaq, avancimi i partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet i lidhur me përmbushjen e detyrimeve të Kosovës…

Lajme

24/10/2026 14:11

Kosova duhet të përshpejtojë reformat ligjore në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian, të rrisë investimet publike dhe të zhvillojë kapacitetet energjetike, në mënyrë që të krijojë kushte për zhvillim ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve.

Ndërkaq, avancimi i partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet i lidhur me përmbushjen e detyrimeve të Kosovës ndaj komuniteteve pakicë, sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Zeka thotë se mosfunksionimi i institucioneve gjatë viteve të fundit ka bërë që shumë punë dhe detyra të mbeten pa u realizuar.

“Ka shumë detyra dhe ka shumë punë të cilat nuk janë realizuar përgjatë viteve të fundit. Natyrisht, për shkak të mosfunksionimit të institucioneve, do ta theksoja, meqenëse ne synojmë që të anëtarësohemi në strukturat euroatlantike, në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Besoj që vazhdimi i reformës së legjislacionit sipas kërkesave të Bashkimit Evropian, edhe atyre kërkesave që lidhen sidomos me instrumentet financiare të Bashkimit Evropian, prej të cilave nuk kemi mundur të përfitojmë sa duhet në këto dy-tre vitet e fundit, duhet të jetë prioriteti numër një. Pastaj natyrisht është rritja e investimeve publike. Fatkeqësisht, nuk po shohim diçka të tillë”, deklaron Zeka për Kosova Press.

Derisa tregon edhe ky duhet të jetë fokusi i qeverisë për zhvillim ekonomik të vendit.

“Fokusi duhet të jetë në zhvillimin e kapaciteteve energjetike. Vendi duhet të sigurojë energji të mjaftueshme për zhvillimin e tij. Edhe natyrisht zgjerimi ose përmirësimi i infrastrukturës së teknologjisë”, thotë Zeka.

Derisa sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zeka thotë se lë për të dëshiruar.

“Patjetër që po, ne patëm edhe një deklaratë nga një përfaqësues i Departamentit Amerikan të Shtetit javë më parë, i cili tha që vazhdimi ose jo i diskutimit të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës edhe SHBA-së mbetet peng, ose do të vazhdojë në momentin kur Kosova të përmbushë detyrimet e saj ndaj komuniteteve pakicë në shtet”, thekson Zeka.