Ministri Krasniqi takoi drejtuesit e Federatës së Peshkatarëve

Ministri i Sportit, Memli Krasniqi, i ka takuar të hënën drejtuesit e Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, të cilët i uroi për pranimin ndërkombëtarisht dhe premtoi mbështetje për këtë sport.

Sport

28/04/2014 23:10

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur të hënën në një takim drejtuesit e Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, pas pranimit të tyre në Konfederatën Botërore të Peshkimit Sportiv C.I.P.S.

Ministri Krasniqi i uroi ata për punën e deritanishme në promovimin e peshkatarisë që prek shumë dimensione.

Ai tha se është e rëndësishme që kësaj federate i janë hapur dyert për aktivitete ndërkombëtare dhe për këtë çmoi punën e drejtuesve të federatave.

Ai po ashtu e vlerësoi si mjaftë shembullore angazhimin e federatës në organizim të brendshëm dhe përpjekjeve për masivizim të peshkatarisë në aspektin sportiv. 

Ministri Krasniqi tha se, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, edhe në të ardhmen MKRS-ja do të mbështesë këtë federatë në aktivitete nacionale dhe prezantim ndërkombëtar.

Nga ana e tij, kryetari i Federatës së Peshkatarëve, Arianit Sllamniku falënderoi ministrin për përkrahjen e vazhdueshme.

Ai ka folur për aktivitetet që kanë zhvilluar deri tash dhe ka njoftuar për planet që kanë në të ardhmen. Sllamniku theksoi se është inkurajuese që kanë një përkrahje nga shteti në çdo nismë të tyre.