Mazzarri vazhdon me Interin

Walter Mazzarri do të vazhdojë ta udhëheq Interin deri në vitin 2016. Trajneri italian ka nënshkruar kontratë të re me Nerazzurri, përkundër sezonit dështues që e pati.

Sport

02/07/2014 18:31

Trajneri i Interit, Walter Mazzarri ka nënshkruar kontratë të re njëvjeçare, e cila do ta mbajë atë të lidhur me ekipin nga Serie A deri në vitin 2016.

Pozita e ish trajnerit të Napolit në San Siro ishte vënë në dyshim, pasi spekulohej se mund të largohet, pasi dështoi të futej në Top 3 të futbollit italian.

Interi përfundoi në pozitën e pestë dhe mund të marrë pjesë vetëm në Europa League, derisa presidenti Erick Thohir beson se është pikërisht Mazzarri njeriu i duhur për ta ndërtuar një ekip fitues.

“Jemi mjaft të lumtur që e kemi vazhduar kontratën me trajnerin tonë. Me këtë, ne e kemi bërë të qartë se llogarisim që Mazzarri ta drejtojë projektin tonë”, deklaroi Thohir.

“Besoj se puna e madhe dhe përkushtimi që e ka shfaqur ai, do të bëjë që të arrijmë gjëra të mëdha në këtë klub”, përfundoi ai.

52 vjeçari zotohet se do të mundohet t’ia shpaguajë besimin klubit.