Maksimumin ndaj Senegalit

Albert Bunjaku zotohet se Kosova do ta japë maksimumin ndaj Senegalit, në ndeshjen që do të zhvillohet të dielën në Gjenevë. Përzgjedhësi i Përfaqësueses e vlerëson lartë kundërshtarin e radhës të ekipit të tij.

Sport

22/05/2014 11:51

Albert Bunjaku ka nisur ta harrojë humbjen e thellë të Përfaqësueses së Kosovës nga Turqia me rezultat 1:6.

Tash, përzgjedhësi ka filluar të mendojë për duelin e së dielës ndaj Senegalit, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës.

“Edhe Senegali është një super-fuqi. Kjo skuadër karakterizohet me shpejtësi. Nga ky grup i lojtarëve që i kisha në dispozicion ndaj Turqisë, nuk do të mund të vijnë me ekipin tonë pesë futbollistë”, deklaroi Bunjaku në konferencë për shtyp.

“Andaj, ende pa e kryer këtë ndeshje, kam filluar të mendoj për takimin e radhës. Duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat, të gjitha mundësitë, besoj se do ta bëjmë më të mirën e mundshme”, përfundoi ai.