Lazio rrit çmimin e Thomas Strakoshës

Thomas Strakosha i kërkuar nga top klube të Evropës.

Sport

29/06/2018 07:43

Edhe pse çmimi në merkato vlerësohej 30 milionë euro, kjo shifër nuk mjafton për të blerë Thomas Strakoshën. Nëse do të jetë e detyruar të heqë dorë nga një prej yjeve më të vlefshëm të skuadrës, Lazio synon të përfitojë maksimumin, e ndoshta edhe më tepër. Kjo u konfirmua nga oferta e Liverpool-it në vlerën e 30 milionë eurove, që klubi i kryeqytetit italian e refuzoi.

Presidenti Lotito ka përcaktuar një tjetër çmim dhe as që e mendon ta shesë portierin për një vlerë që përllogaritet nga 40 deri në 50 milionë euro, transmeton “SuperSport.al”.

Kjo është kërkesa financiare e Lazios, me klubin e Serisë A që po mundohet maksimalisht ta mbajë gardianin kuqezi edhe për sezonin tjetër, por nëse vërtetë do ti duhej të hiqte dorë këtë do ta bënte vetëm për një çmim të parezistueshëm.Trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp e ka monitoruar prej kohësh ecurinë e Strakoshës, duke e cilësuar si kandidatin më të mirë për numrin 1 të Reds-ave dhe po kërkon një zëvendësues për Loris Karius, pas gabimeve të tij në finalen e Champions-it gjatë edicionit të kaluar.

Çmimi i Strakoshës vlerësohej i arsyeshëm për kualitetin dhe garancinë që ofron portieri shqiptar, por edhe për moshën e re e cila bën që ai të ketë potencial të madh për tu përmirësuar edhe më tepër.Me Lazion që ka rritur pretendimet financiare për 23-vjeçarin, tashmë mbetet për tu parë nëse te Liverpool-i janë të gatshmë ti përgjigjen pretendimeve të italianëve për një shifër që varion nga 40 deri në 50 milionë euro.