Ky ishte një debakël

Karlheinz Rummenigge thotë se Bayern Munichu pësoi debakël nga Real Madridi, duke insistuar se pas kësaj humbjeje të thellë, është më mirë të mos flasë fare. Megjithatë, kreu i gjigantit bavarez beson në projektin e Pep Guardiolas.

Sport

30/04/2014 01:07

Presidenti i këshillit drejtues të Bayern Munichut, Karlheinz Rummenigge thotë se humbja e thellë në shtëpi nga Real Madridi, 0:4, është një natë në të cilën është më mirë të mos thuhet asgjë.

“Është një natë në të cilën është më mirë ndoshta të mos flasim asgjë. Rivali ynë na dominoi qartë, na shkaktoi debakël”, deklaroi Rummenigge për televizionin gjerman, ZDF.

Ai megjithatë e mbrojti projektin e Pep Guardiolas, duke insistuar se kjo humbje nuk mund ta rrënojë të gjithë atë që ka bërë trajneri spanjoll në Allianz Arena këtë sezon.

“E kemi një trajner mjaft kompetent. E kemi pësuar një humbje e cila dhemb, por nuk duhet ta përgjithësojmë këtë humbje me tërë sezonin”, vazhdoi ai.

“Ndër të tjera, Real Madridi ka luajtur në mënyrë të mrekullueshme, këtë duhet ta themi”, përfundoi Rummenigge.