Kundërshtarët nuk luajnë, mbrohen

Antonio Conte thotë se kundërshtarët e Juventusit vijnë në Torino vetëm për t’u mbrojtur. Trajneri i Bianconerëve lavdëron ekipin dhe thotë se kanë bërë një hap drejt titullit në Serie A.

Sport

19/04/2014 22:53

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte është shprehur i lumtur me paraqitjen e futbollistëve të tij në fitoren 1:0 ndaj Bolognas.

Bianconerët fituan ndeshjen kundër një skuadre që u mbrojt gjatë gjithë kohës, falë shënimit nga Paul Pogba në pjesën e dytë.

“Nuk ishte një duel i lehtë sepse në Juventus Stadium ekipet nuk luajnë, por mbrohen”, deklaroi Conte për Sky Sports.

“Pjesa e parë kaloi nën ritëm të lehtë, në vazhdim kemi shpejtuar lojën dhe arritën të fitojmë. Scudetto? Një hap i mirë përpara. Me rëndësi për ne është të fitojmë gjithmonë e pastaj do të shohim se çka ndodh. Objektivi ende nuk është arritur dhe djelmoshat e dinë. Kemi qenë të mirë duke mbyllur kundërsulmet e tyre dhe Buffon pati fare pak punë. Tani do të festojmë Pashkët pastaj na pret gjysmëfinalja në Europa League”, u shpreh ai.