Kroacia nderon me medalje të artë familjen Lladrovci

Kroacia ka nderuar me Medaljen e artë familjen Lladrovci për kontributin e dhënë në  çlirimin e këtij vendi, kurse Posta e Kosovës ka emetuar pullën postare kushtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit.  

Lajme

22/09/2014 17:37

Dorëzimi i medaljes u bë gjatë ceremonisë së promovimit të pullës postare nga Posta e Kosovës, në 16 vjetorin e rënies së bashkëshortëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.

Heroizmi, kontributi dhe dashuria e tyre për lirinë e Kosovës, sakrifica e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit është diçka e pashembullt në historinë e popullit tonë. Madje heroizmi dhe kontributi i tyre i kaloi edhe kufijtë nacional, duke luftuar edhe për lirinë e shtetit kroat, dhe ata meritojnë të jenë heronj edhe të Ballkanit Perëndimor, tha në promovimin e pullës postare që i dedikohet Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, e cila u promovua.

Gjithashtu në këtë ceremoni, Shoqate e Luftëtarëve Shqiptarë në Kroaci si dhe Qeveria kroate u dha mirënjohje dhe medalje të artë familjes Lladrovci, për shërbimin dhe çlirimin e shtetit të Kroacisë, bën të ditur KP.

Sejdi Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Postës së Kosovës, tha se është një nder dhe krenari për të gjithë që të promovohet një nga pullat postare më të çmueshme të filatelisë së postës. Ai tha se misioni i filatelisë së postës është që përmes tyre të promovohen vlerat historike kombëtare, kulturore dhe se me promovimin e kësaj pulle ky mision u arrit edhe një herë.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe atasheu ushtarak i Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, Tomisllav Tankoviq, i cili tha se për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin kishte dëgjuar shumë.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi tha se heroizmi dhe kontributi i Fehmiut dhe Xhevës i kalojnë kufijtë nacional dhe të dy meritojnë të jenë heronj të Ballkanit perëndimor.

Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, trupat ushtarake e përfaqësues të Ambasadës kroate, shoqërisë civile, Adëem Demaçi e Rexhep Qosja, u shfaq edhe dokumentari dedikuar Fehmi dhe Xhevë Lladrvcit 

(KosovaPress)