Kasami beson në mbijetesë

Pajtim Kasami ndien se Fulhami i ka kualitetet e duhura për të mbetur në Premierligë, përkundër formës së dobët, e cila rezultoi me humbje 3:1 nga Chelsea të shtunën. Fulhami ishte në lojë në 45 minutat e parë, por humbja e Brede Hangeland, i cili u lëndua, e destabilizoi mbrojtjen. Dhe, Andre Schurrle e Eden…

Sport

02/03/2014 15:00

Pajtim Kasami ndien se Fulhami i ka kualitetet e duhura për të mbetur në Premierligë, përkundër formës së dobët, e cila rezultoi me humbje 3:1 nga Chelsea të shtunën.

Fulhami ishte në lojë në 45 minutat e parë, por humbja e Brede Hangeland, i cili u lëndua, e destabilizoi mbrojtjen.

Dhe, Andre Schurrle e Eden Hazard ishin të pandalshëm dhe në formë të shkëlqyeshme në pjesën e dytë, duke ia siguruar Chelseat fitoren.

Fulhami mbetet në fund të tabelës, por Kasami beson se Felix Magath e ka aftësinë për t’i ndryshuar gjërat, pasi u emërua menaxher i këtij klubi.

“Ne kemi kualitet për të mbetur në Premierligë. Duhet të luftojmë tash e tutje në çdo ndeshje. Kanë mbetur edhe 10 ndeshje, ndërsa ndeshja me Cardiffin javën e ardhshme është shumë e rëndësishme”, deklaroi ai pas ndeshjes.

“Ndaj Chelseat ishim të pafat. E filluam pjesën e parë mjaft mirë, ndërsa më pas u ndalëm së pasuri kujdes dhe e pësuam golin e parë. Mendoj se e patëm mundësinë të shënonim, por ndeshja zgjat vetëm 90 minuta”, vijoi ai.

Sipas futbollistit shqiptar nga Maqedonia, Fulhami nuk e meriton të bie në Championship, pasi ka çka të ofrojë në elitën e futbollit anglez edhe sezonin tjetër, nëse e siguron ekzistencën.

“Ne të gjithë e kemi një objektiv këtë sezon – të mbetemi në Premierligë. Menaxheri na ka dhënë informatat dhe ne punuam fort gjatë javës, për të nxjerrë pikë dhe rezultate të mira. Çdo menaxher e ka opinionin dhe filozofinë e tij. Ajo që duhet ta bëjmë, është të jemi të bashkuar, të jemi pozitivë, të shikojmë përpara, në sfidat e ardhshme”, përfundoi përfaqësuesi zviceran.

Pas 28 xhirosh të zhvilluara, Fulhami gjendet në pozitën e fundit me vetëm 21 pikë të grumbulluara.