Ka edhe më keq: Kosova s’është më e dobëta e Evropës

Kosova ka marrë kritika për rezultatet e regjistruara në kualifikimet për Botëror, por skuadra e Albert Bunjakit nuk është më e dobëta në Evropë. Ekzistojnë skuadra që s’kanë fituar deri në 10 vjet dhe që s’kanë shënuar gola me vite. Ka edhe më keq se ne.

Sport

16/11/2016 13:05

Rezultatet e Përfaqësueses së Kosovës në kualifikimet për Botërorin e Rusisë janë kontestuar nga shumëkush, edhe pse ky është vetëm debutimi i vendit tonë në një eveniment të tillë eliminator.

Mirëpo, nëse i shohim statistikat ka edhe më keq se Kosova. Mediet e huaja e kanë bërë një përmbledhje, duke i analizuar përfaqësueset më të dobëta të Evropës.

Ka prej tyre që nuk fitojnë qe 12 vjet, por ka edhe të tjera që nuk shënojnë gola me vite, shkruan sot gazeta Zëri.

Më të dobëtit e Evropës

Por, cilat janë skuadrat më të dobëta të Evropës? Përgjigjja mund të arrijë nga renditja e FIFA-s.

Në fund gjendet i sapopranuari në shtëpinë e futbollit ndërkombëtar, Gjibraltari: Numër 205, vendi i fundit të cilin e ndan me Tongo, Somalia, Bahamas e të tjerë.

Më pas, në renditjen përmbys, në vendin e dytë gjendet Andorra (203), e treta është San Marino (201) e mbi të Lihtenshtajni (183) e Malta (178).

Më pas më lart gjenden Moldavia, Kosova, Maqedonia e Qiproja e deri tek befasia më e madhe, Luksemburgu, i cili e kishte mundur Shqipërinë 3:0 në miqësore.

Skuadra e mbrojtësit Chanot (që luan në New York) i ka lënë prapa vetes rreth 80 përfaqësuese tjera.

Pa fitore

Andorra e ka konstruktuar “primatin” e saj me një seri të pabesueshme negative: vendi i vogël i Principatës nuk fiton qe 86 ndeshje.

Kanë kaluar 12 vjet që nga triumfi i parë: 1:0 në shtëpi kundër Maqedonisë (13 tetor 2004, kualifikimet për Botëror).

Seria e rekordit absolut e ka mposhtur edhe atë të Luksemburgut (82 ndeshje pa fitore në periudhën 1995 e 2006).

Kurse, aspak më mirë nuk qëndron as San Marino. Kjo skuadër nuk ka festuar nga viti 2004 (ishte prill), me një fitore që e arrinte ndaj Lihtenshtajnit 1:0, me golin e Andy Silva nga gjuajtja e lirë.

Kjo ishte fitorja e parë ndërkombëtare dhe ka mbetur unike, edhe për 74 ndeshjet pasuese. Andorra i ka tri fitore në 139 ndeshje, ndërkohë që ka edhe 12 barazime.

Në konfrontimin e këtyre skuadrave të dobëta më së miri qëndron Lihtenshtajni, i cili ka 12 fitore në 155 ndeshje, përcjellë Zëri.

Të fundit e kishte shijuar në vitin 2014, e më e largëta ishte ajo e vitit 2004 (4:0 ndaj Luksemburgut).

Ishte koha e Mario Frick dhe periudha fantastike e kualifikimeve për “Botërorin 2006”, të cilat i kishin mbyllur me 8 pikë dhe me një barazim historik 2:2 me Portugalinë, duke e kthyer rezultatin.

Gola të shënuar dhe të pësuar

Këto skuadra pësojnë humbje të thella kur përballen me gjigantë, siç i ndodhi së fundmi San Marinos, e cila pësoi humbje 8:0 nga Gjermania.

Në vitet e fundit San Marino ka pësuar edhe 10 gola nga Kroacia, 4 nga Irlanda e Veriut, 7 nga Zvicra dhe 6 nga Sllovenia e Anglia.

Pika e fundit e marrë nga ky ekip daton nga viti 2014, ndaj Estonisë. E goli i fundit ka arritur më rishtazi, i shënuar nga Mattia Stefanelli ndaj Norvegjisë (4:1) në tetor.

Në përgjithësi, një gëzim i vogël i ka prekur të gjithë, në kualifikimet për “Rusia 2018”. Kanë shënuar gol edhe Lihtenshtajni, Andorra, Kosova e Malta, raporton Zëri.

Madje, Gjibraltari ka shënuar dy, ndaj Greqisë dhe Qipros, ndërsa kjo përfaqësuese, e cila u pranua në FIFA në muajin maj bashkë me Kosovën ka pësuar 17 gola në katër ndeshje.

Ndërkaq, Kosova ka shënuar një gol dhe ka pësuar 12 gola në katër ndeshjet e para, duke e fituar një pikë pas barazimit me Finlandën.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6.