Januzaj e bëri zgjedhjen e zemrës

Dirk De Vriese thotë se Adnan Januzaj e bëri zgjedhjen e zemrës, duke e preferuar Belgjikën, para Anglisë e Shqipërisë. Menaxheri i futbollistit insiston se kjo ishte zgjedhja më logjike, pasi futbollisti u lind e u rrit në Belgjikë.

Sport

24/04/2014 10:55

Menaxheri i Adnan Januzajt, Dirk De Vriese thotë se futbollisti kosovar e bëri një zgjedhje me zemër, kur vendosi përfundimisht ta përfaqësojë Belgjikën, duke hequr dorë nga opsionet tjera si Anglia e Shqipëria.

“Zgjedhja e Adnan Januzajt për Belgjikën ishte një zgjedhje me zemër”, ka thënë ish futbollisti belg për ‘Sportza’.

Gjatë ditës së mërkurë, përzgjedhësi Marc Wilmots njoftoi përmes rrjetit social Twitter se 19 vjeçari e kishte zgjedhur ekipin belg.

Wilmots, më 13 maj do ta bërë zyrtar ekipin preliminar të Belgjikës për Botërorin e Brazilit. Por, nuk dihet nëse emri i talentit kosovar do të përfshihet në këtë listë.

“Adnani nuk ka biseduar me trajnerin Wilmots për zgjedhjen e tij. Kështu që, kjo nuk ia garanton një biletë për Botëror. Sidoqoftë, Wilmots është duke e ndjekur me kujdes zhvillimin e futbollistit”.

“Adnani fillimisht dëshironte të jetë titullar në Manchester United dhe më pas të mendonte për gjërat tjera. Belgjika është zgjedhja më logjike e mundshme, pasi ai është lindur në Bruksel, është shkolluar dhe i ka miqtë e tij atje”.

“Raporti i tij me Kosovën dhe Shqipërinë ka bërë që ndoshta ky të jetë një vendim i vështirë. Ishte paksa stresuese, por ishte më e mirë të mbyllej kjo çështje në këtë periudhë”.

“Si një 19 vjeçar, ishte një javë emocionuese për të, pas shkarkimit të Davis Moyes. Adnanin e kishte lansuar pikërisht Moyes dhe ai ishte e vetmja pikë e ndritshme e Unitedit këtë sezon”, përfundoi Vriese.