Ish-basketbollisti shqiptar gjen punë në NBA (FOTO)

Ish-basketbollisti i njohur shqiptar, Ermal Kuqo ka nisur punën si skaut te skuadra e NBA-së, Los Angeles Clippers.

Sport

28/10/2016 09:05

Ermal Kuqo në ndjekje të ëndrrës amerikane. Pasi luajti dhe shijoi emocionet e niveleve më të larta të basketbollit evropian, prej pak javësh ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare ka nisur punën si skaut për skuadrën e NBA-së, Los Angeles Clippers. Një hap i rëndësishëm drejt karrierës së re, për të cilën 36-vjeçari shfaq modestinë e një kampioni.

“ Nuk është një hap aq i madh sa mund të duket. Të jesh skaut në NBA është niveli më i ulët në anën menaxheriale. I jam futur kësaj rruge, përpara se të lija karrierën si basketboll, pasi prej 3-4 vitesh jozyrtarisht kam raportuar për lojtarë të ndryshëm evropianë në ekipe të ndryshme të NBA-së”, ka deklaruar Kuqo për “SuperSport”.

Nuk është një punë zbulimi talentesh, por detyra e Ermal Kuqos është të evidentojë lojtarët, që janë të denjë të luajnë në kampionatin më të fortë të basketbollit në botë.

“Duket si e thjeshtë, por në fillim ishte adaptimi me kompjuterin. Shkruaj raporte për lojtarë që mund të luajnë në NBA. Kam një “database” të basketbollistëve të Euroligës dhe në Turqi, që realisht është kampionati më i fortë. Raportoj për yjet e këtij sporti në Evropë, por edhe për lojtarë që kanë stofin e kampionit”, ka theksuar ai.

“Los Angeles Clippers nuk kanë patur deri më tani një prezencë të mirëfillte në Evropë. Personalisht punoj thuajse gjatë gjithë kohës në Turqi, pasi me Euroligën që është kthyer në një kampionat më vete, kam mundësi që të shoh dy ndeshje në javë në Stamboll”, shtoi Kuqo

Synimi i Kuqos është i qartë. Të punojë që në harkun e disa viteve të transferohet në Shtetet e Bashkuara, për të punuar drejtpërdrejt në një skuadër të NBA-së.

“Plani është që çdo vit të ngjis shkallët e karrierës dhe që pas 4-5 vjetëve të transferohem në Amerikë dhe të punoj për një skuadër të NBA-së, qofshin këta Clippers apo diku tjetër. Qëllimi i madh është që të jem në NBA. Ndihem komod në këtë punë dhe kjo është arsyeja përse e lash sportin, sepse mund të kisha vazhduar të luaja dhe kisha oferta. Por, nuk e shoh veten si trajner”, ka theksuar Kuqo.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6.