Inzaghi, perfekt për Milanin

Carlo Ancelotti mendon se Filippo Inzaghi do të ishte trajneri perfekt për Milanin. Trajneri i Real Madridit thotë se ish futbollisti i tij i ka të gjitha ato që i nevojiten për të qenë i suksesshëm me Rossoneri.

Sport

27/05/2014 21:22

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti thotë se Filippo Inzaghi do të ishte trajneri i duhur për Milanin, nëse Clarence Seedorf do të largohej nga klubi.

Holandezi duket se do të ndahet me gjigantin italian, ndërsa Silvio Berlusconi e Adriano Galliani duan të llogarisin në Inzaghin, si zëvendësues të tij.

“Pippo e ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm, dëshirë të madhe dhe një eksperiencë të duhur me ekipin e të rinjve”, deklaroi Ancelotti.

“Ai sigurisht se i ka të gjitha ato që i nevojiten për të qenë i suksesshëm në Milan. Nëse bëhet trajner, i uroj çdo të mirë dhe fat”, vazhdoi kampioni i ri i Evropës.

Në fund, Ancelotti nuk e ka fshehur dëshirën që në të ardhmen ta drejtojë Përfaqësuesen e Italisë.