Identiteti primar i zgjedhjeve

Zgjedhjet në Kosovë nuk janë garë për vendin në histori të politikanëve dhe partive. Mbi të gjitha, zgjedhjet mbahen për ta definuar të ardhmen e një vendi. Ky është identiteti primar i votës së qytetarëve.

Lajme

18/05/2017 09:35

Nga: Blerim Shala

Në skenën politike kosovare ditëve të fundit janë shënuar ngjarje që kanë veçoritë e tyre të papara në historinë e demokracisë parlamentare ndër ne.
Kur në Kosovë, në zgjedhjet e vitit 2007, për herë të parë u aplikua pragu zgjedhor prej 5%, (në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001 dhe 2004 nuk ka pasë fare prag zgjedhor), ky parim determinoi fundin e garës për partitë e vogla që e dinin që nuk mund ta arrinin këtë prag. Si pasojë, për herë të parë para zgjedhjeve të vitit 2007  (të cilat përcaktonin Kuvendin dhe Qeverinë që do të ishte përgjegjëse për shpalljen e pavarësisë së Kosovës), nisi krijimi i koalicioneve parazgjedhore. Në këtë mënyrë, madje, nisi të ndryshojë edhe karakteri organizativ i partive më të mëdha në vend, dhe nisi fenomeni i zhdukjes apo vegjetimit të partive të vogla.
Siç kuptuam të gjithë në ditët e kaluara, tani po ndodhë një dukuri krejtësisht e re në politikën vendore, e cila me gjasë është reflektim i drejtpërdrejtë i përvojës së njohur pas zgjedhjeve të kaluara parlamentare, të qershorit të vitit 2014, të cilat tashmë njihen si periudhën e ngërçit të madh politik.
Synimi i subjekteve kryesore politike është që të mbërrinë qysh tash, apo, në përfundim të procedurave ligjore që lidhen me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve  (KQZ-në), t’i krijojnë apo imponojnë rrethanat kur do të dihet fituesi në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare, që do të mbahen me 11 qershor.
Veprim pas veprimi, has pas hapi, marrëveshje pas marrëveshje, kemi mbërri në situatën, e cila duket që ende nuk ka marrë atë formën definitive  (sepse ende janë në qarkullim mundësitë e arritjes së marrëveshjeve të reja të garimit në një Listë të përbashkët të një koalicioni me një subjekt politik), që spikatë një përpjekje evidente për të paracaktuar fituesin e zgjedhjeve sa më parë, edhe para se të nisë fare fushata për këto zgjedhje, me 31 maj.
Në parim pra, duket që janë disa momente kyç që kanë sjellë këtë fenomen të ri në politikën kosovare. Ato, realisht, më së paku kanë të bëjmë me identitetin primar politik të partive dhe subjekteve tona, megjithëse vetë karakteri i këtyre koalicioneve  (të deritashme), ka shtyrë para konkludimet që ndërtohen mbi këto identitete, të cilat realisht kanë pësuar ndryshime tepër të mëdha prej vitit 2000 (kur u mbajtën zgjedhjet e para në Kosovë, në nivelin lokal), e këndej.
Momenti determinues natyrisht është ai i synimit për të siguruar fitoren në zgjedhje, duke marrë si bazë rezultatet e votimit të vitit 2014. Poashtu, duket që të gjitha subjektet kryesore politike në vend, janë të vetëdijshme që raporti aktual i forcave në ‘frontin e votës’, nuk ka ndryshuar shumë në krahasim me atë të para tri viteve. Po të ishte ndryshe, apo, sikur hulumtimet të tregonin që ka lëvizje thelbësore të votës, nuk do të insistohej shumë në këto koalicione.
Megjithatë, ai momenti i dytë, poaq përcaktues si ky i pari, është risi ndër ne: Ai flet për mungesën totale të besimit të liderëve dhe entiteteve politike në njëri-tjetrin. Me koalicionet parazgjedhore të këtij lloji, evitohen befasitë pas-zgjedhore, dihet qysh më parë kush do të jetë mandatar për krijimin e Qeverisë së re. Realisht, por kjo mbetet të shihet gjatë fushatës parazgjedhore, koalicionet e këtij lloji do të duhet të ofrojnë edhe programin e qartë qeverisës të vendit në mandatin e ardhshëm, sepse tash do të jetë më lehtë të ketë koordinim të qartë në mes të subjekteve/ partive që përbëjnë një koalicion. Pra, votuesit kosovar do të zgjedhin midis dy apo tri ofertave qeverisëse me vendin, gjë që do të duhej t’i jepte një karakter tjetër vet fushatës parazgjedhore.
Në parim, një qytetar i rëndomtë i Kosovës do ta ketë më lehtë të vendosë se cila është oferta më premtuese për zhvillimet në Kosovë tash e tutje.
Këtu mbërrijmë pra tek ai çasti që tejkalon, në masë të madhe, dy momentet e përmendura më parë, që janë derivat i të kaluarës së liderëve dhe partive të tyre.
Zgjedhjet në Kosovë nuk janë farë gare që do të përcaktojë çfarë ka qenë historia e politikanëve dhe partive tona. Natyrisht që zgjedhjet janë edhe rishikim i sukseseve dhe gabimeve politike të politikanëve dhe të partive. Megjithatë, mbi të gjitha, zgjedhjet mbahen për ta definuar të ardhmen e një politike dhe të një vendi. Ky është identiteti primar i votës së qytetarëve. /Lajmi.net/