Huliganët që ndërprenë ndeshjen Flamurtari – Vëllaznimi, ende në liri

Huliganët që u futën në fushë në ndeshjen midis Flamurtarit dhe Vëllaznimit ende janë në liri.

Sport

21/10/2017 22:18

Nën pranga nuk ka përfunduar ndonjëri nga këta djemë, që në përplasjen me forcat e rendit, arritën ta shpëtojnë njërin person që më herët iu lidhën duart.

Policia deri më tani vetëm ka konfirmuar incidentin, që përfshiu sulmet ndaj lojëtarëve mysafirë, automjeteve të tyre, si edhe vetë forcave të rendit.

E kreu i klubit “Flamurtari”, Imer Ademi, mohon se këta persona janë tifozë të këtij klubi. Madje ai i quan si armiqë të Flamurtarit dhe futbollit kosovar në përgjithësi.

Ai tha se për këtë lojë kishte sigurim privat dhe policë, mirëpo këta të fundit dështuan t’i prangosin huliganët.

Klan Kosova ka kontaktuar edhe klubin gjakovar, mirëpo ata nuk kanë dashur të flasin për këtë incident.

Ndërkohë, zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, bënë me dije se një vendim lidhur me këtë incident do të merret të hënën.

Kodi Penal i Kosovës, parasheh dënimin me gjobë prej 200 deri 10 Mijë euro për huliganizëm me pasoja të vogla, ose me burgim deri në 5 vjet burgim për huliganizëm me pasoja të rënda.

 

YouTube player