Guardiola: Do të mundohemi ta rrënojmë festën e Realit

Pep Guardiola thotë se Real Madridi tashmë mendon se ka shkuar në finale të Ligës së Kampionëve. Por, trajneri i Bayern Munichut zotohet se gjiganti bavarez do të mundohet ta rrënojë festën madrilene.

Sport

28/04/2014 15:05

Pep Guardiola ka kërkuar nga lojtarët e tij që ta përmbysin humbjen 1:0 të pësuar në ndeshjen e parë gjysmëfinale nga Real Madridi, për të shkuar në finale të Ligës së Kampionëve.

Trajneri spanjoll e konfirmoi betejën që do të zhvillohet të martën mbrëma në Allianz Arena, ndërsa u shpreh i gatshëm ta ndërrojë për një lojë taktikën, vetëm për ta arritur finalen.

“Reali është një skuadër shumë e fortë, para dhe pas ndeshjes me Osasunën. Nuk ka diferencë dhe gjithmonë kam respekt të madh”, deklaroi ai.

“Bayerni duhet ta bëjë një lojë të madhe, të sulmojë dhe të mbrohet me 11 lojtarë, duke u munduar të shënojë disa gola. Na nevojitet më shumë se një, për të shkuar në Lisbonë”, vazhdoi ish trajneri i Barcelonës.

“As duke i futur në lojë të gjithë mbrojtësit më të shpejtë, nuk mund të ndalet shpejtësia e Real Madridit përpara. E vetmja mënyrë është që t’i presim në zonën tonë të rreptësisë”.

“Kundërsulmi? Është njëri prej opsioneve që jemi duke e vlerësuar dhe përgatitur. Ata ndiejnë sikur kanë shkuar tashmë në finale, por do të bëjmë gjithçka për t’ua rrënuar festën”, përfundoi Guardiola.