lajmi.net

Gjermania ofron shumë mundësi për të rinjtë kosovarë

Sot (e martë) në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë’, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), për të folur për mundësinë e praktikës në kompanitë gjermane në fusha të ndryshme, mysafirë në RTK ishin Erblina Loshaj, koordinatore e programit për “Internship të Biznesit gjerman për vendet e Ballkanit Perëndimor”, në Kosovë dhe Ermira Abdullahu, ish bursiste.

Lajme

10/10/2017 09:01

Sot (e martë) në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë’, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), për të folur për mundësinë e praktikës në kompanitë gjermane në fusha të ndryshme, mysafirë në RTK ishin Erblina Loshaj, koordinatore e programit për “Internship të Biznesit gjerman për vendet e Ballkanit Perëndimor”, në Kosovë dhe Ermira Abdullahu, ish bursiste.

Koordinatorja e programit për “Internship të Biznesit gjerman për vendet e Ballkanit Perëndimor”, në Kosovë, Erblina Loshaj, tha se ky program ofrohet për kosovarët dhe është një mundësi e mirë për të gjithë ata që e fitojnë.

“Është një mundësi e mirë për të gjithë studentët që janë të regjistruar në universitetet publike dhe private”, tha ajo. Sipas saj që nga viti 2009 e deri sot gjithsejtë 22 kosovarë të fushave të studimit si: gazetari, ekonomi, shkenca kompjuterike, inxhinieri, ndërtimtari etj, kanë përfituar bursën për praktike 3-6 muaj në kompani të ndryshme në Gjermani.  “Aplikimi ka filluar me 1.10.2017 dhe vazhdon deri me 13.11.2017”, tha ajo.

Loshaj, tha se programi mbulon të gjitha shpenzimet nga qeveria gjermane. “Ka interesim të madh për të përfituar nga kjo mundësi që jep Gjermania”, tha ajo.

Kurse Ermira Abdullahu, ish-bursiste, bëri me dije se praktikën që e ka kryer në Gjermani ka qenë një përvojë e mirë për të. “Njohuritë që i mora në Gjermani ishin të reja”, tha ajo.

Abdullahu, tha se periudha e praktikës në Gjermani varion deri në disa muaj.

Ndryshe programi për “Internship të Biznesit gjerman për vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka disa kushte që duhet plotësuar për të fituar këtë mundësi për të kryer praktikën në Gjermani.

Anglishtja është parakusht për të aplikuar. Nëse kandidatët janë të interesuar në fushën e arkitekturës ose të së drejtës tregtare, kërkohet të kenë të kryer kursin B2 në gjuhën gjermane. Aplikantët nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kanë të drejtë të aplikojnë për Programin. Nëse studentët kanë bërë një shkëmbim të tillë si Erasmus, ata kanë të drejtë të aplikojnë.

Ja fushat që mund të kryhet praktika

Praktika mund të kryhet në këto fusha: Financat, matematika financiare, kontabilitet, banka dhe sigurime, menaxhim, marketing, shitje, konsultim, ligji tregtar, logjistikë, inxhinieri industriale, menaxhim i cilësisë, gazetari, shkencat politike, studimet e gjuhës gjermane, inxhinieri mekanike, telekomunikacion, shkenca kompjuterike, inxhinieri mekanike, ndërtim i avionëve, mekanikë e saktësisë, inxhinieri civile, miniera, gjeodezi, klimë dhe teknologji e mjedisit, inxhinieri kimike, biologji, teknologji ushqimore, inxhinieri procesi, bujqësi, verëra dhe pemët në rritje.

LM