Erjon Bogdani ia sjellë një përforcim të madh Kombëtares Shqiptare (FOTO)

Një nga shumë arsyet pozitive që Erjon Bogdani të jetë në krye të Kombëtares U-19, është e shkuara e tij.

Sport

15/02/2017 11:11

Karriera e suksesshme me shumë skuadra në elitën e futbollit italian duket që ka dhënë frytet edhe në pozicionin aktual të “Bogut”.

Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar se Shqipëria ka fituar besimin e njërit prej portierëve që në të shkuarën është stërvitur me ekipet e moshave të Italisë. Meritë për këtë ka edhe trajneri i U-19, i cili e ka piketuar dhe ftuar gardianin e ri në moshë.

Bëhet fjalë për Marko Alian (Marco Alia), portierin e datëlindjes 2000. Një vit më parë, ai ka qenë pjesë e grumbullimeve me kombëtaren e 17-vjeçarëve të Italisë, por nga fundi i këtij muaji e në vazhdim do të jetë pjesë e kombëtares U-19 të Shqipërisë. Nën drejtimin e Erjon Bogdanit, kjo kombëtare do të përpiqet që të grumbullojë sa më shumë talente që të jenë të vlefshëm jo vetëm për këtë ekip, por edhe për të furnizuar skuadrën Shpresa, të drejtuar nga Bushi.

Alia është një portier me perspektivë, i formuar në akademinë e Lacios. Alia është një nga lojtarët e skuadrës U-17 të Lacios, i cili është ftuar shpesh në skuadrën e të rinjve (Primavera) të bardhekaltërve, për vetë cilësitë e tij brenda kuadratit.

Në grumbullimin e radhës që kuqezinjtë do të kenë, Alia do të jetë pjesë dhe në vazhdim ai do të kërkojë që të ecë edhe në rrugën e portierit aktual, Etrit Berisha, i cili luajti jo pak me fanellën e bardhekaltërve, apo edhe të Thomas Strakoshës, i cili aktualisht është pretendenti kryesor për formacionin titullar të Lacios në Serinë A.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6.